Vajtimet 2

Ndëshkimet e Perëndisë

Alef

Ah, Zoti e nxiu bijën e Sionit

me zemërimin e vet.

E plandosi nga qielli në tokë

bukurinë e Izraelit.

Nuk iu kujtua shtroja e këmbëve

në ditën e zemërimit të vet.

Bet

Banishtat e Jakobit i përpiu Zoti,

të tëra pa mëshirë.

I shkatërroi me zemërim

fortesat e bijës së Judës,

shembi përtokë e fëlliqi

mbretërinë e krerët e saj.

Gimel

Goditi me furinë e zemërimit të vet

fuqinë e Izraelit.

E rrudhi të djathtën e vet përballë armikut,

ndezi te Jakobi diçka si zjarr flakërues,

që përpin rreth e rrotull.

Dalet

Dora e djathtë e tij porsi ngucësi,

si armiku e ndehu harkun.

Ata që na i kënaqnin sytë, i vrau

në tendën e bijës së Sionit.

E zbrazi tërbimin porsi zjarr.

He

Hasëm u duk se u bë Zoti,

e përpiu Izraelin,

ia përpiu të gjitha ndërtesat,

ia rrënoi fortesat,

shtoi vajtimin e ankimin

te bija e Judës.

Vau

Vathën ia dhunoi, sikurse kopshtin,

ia rrënoi vendtakimin.

Zoti  e fshiu në Sion festën e të shtunën,

poshtëroi mbretin e priftin

me zemërim të furishëm.

Zain

Zoti e braktisi altarin e vet,

hoqi dorë nga shenjtërorja e vet,

i la në dorë të armiqve

muret e godinave së saj.

Në tempullin e Zotit dhanë kushtrimin

si në ditën e festës.

Het

Hollësisht e mendoi Zoti

rrënimin e mureve të bijës së Sionit:

e mati me pe

e s’hoqi dorë nga rrënimi.

Bëri të vajtueshëm ledhin e murin,

njëherësh ata u shembën.

Tet

Toka i përpiu dyert e saj,

shulat ia shkatërroi e ia copëtoi.

Mbreti i saj dhe princat mbetën ndër kombe,

nuk kanë më udhëzime,

deri edhe profetët s’kanë ku të gjejnë

asnjë vegim prej Zotit.

Jod

10 Janë ulur përtokë të heshtur

pleqtë e bijës së Sionit.

Kanë mbuluar kokën me pluhur

e janë veshur me grathore.

Kanë ulur kryet përtokë

vashat e Jerusalemit.

Kaf

11 Kroi i lotëve m’i shteroi sytë,

m’u pështjelluan zorrët,

mëlçia m’u zbraz përtokë

prej thyerjes së bijës së popullit tim,

se u mekën foshnja e ferishtja

në sheshin e qytetit.

Lamed

12 Nënave të veta u thoshin:

«Ku është drithi? Po vera?»,

tek flashkeshin si të lënduar

nëpër sheshet e qytetit

e jepnin shpirt në prehrin e nënave.

Mem

13 Me çfarë të të krahasoj? Me çfarë përngjan,

o bijë e Jerusalemit?

Me çfarë të të përafroj për të të ngushëlluar,

o vashë, bijë e Sionit?

Se i madh sa deti është rrënimi yt,

prandaj kush mund të të shërojë?

Nun

14 Ngatërrueshëm e mashtrueshëm

veguan për ty profetët e tu.

Nuk e zbuluan fajësinë tënde,

që të ta kthenin begatinë,

por panë për ty kumte të rreme e mashtruese.

Samek

15 Sëra e kalimtarëve përplas duart për ty,

fërshëllejnë e tundin kokën

për bijën e Jerusalemit:

pse, ky është qyteti për të cilin thoshin:

«Bukuria e përsosur,

ngazëllimi i mbarë dheut!»?

Fe

16 Fërshëllejnë e kërcëllijnë dhëmbët,

hapin gojën kundër teje armiqtë e tu

e thonë: «E përlamë!

Këtë ditë prisnim,

ia arritëm dhe e pamë!».

Ain

17 Atë që e kishte vendosur,

e bëri Zoti,

e mbajti fjalën e vet

që e kishte dhënë si urdhër kaherë.

Rrënoi pa mëshirë,

e gëzoi armikun,

ngasësit i dha fuqi.

Cade

18 Curril le të derdhen lotët ditë e natë,

le ta thërrasë Zotin zemra jote,

o muri i bijës së Sionit.

Mos pusho e të mos prehet

bebja e syrit tënd.

Kof

19 Këndellu, klith natën,

natën kur fillon ndërresa,

zbraze zemrën si ujë

para fytyrës së Zotit.

Ngriji duart drejt tij

që të marrin frymë fëmijët e tu,

ata që i mundon uria

në krye të çdo rruge.

Resh

20 Ruajna, o Zot, e shiko!

Me kë u solle kështu?

A duhet të përpijnë gratë pjellën e vet,

fëmijët plot shëndet?

A duhet të vriten në shenjtëroren e Zotit

priftërinjtë e profetët?

Sin

21 Shtrihen përtokë rrugëve të rinj e pleq,

vashat e djelmoshat i këputi shpata.

Vrave ditën e zemërimit tënd,

there pa mëshirë.

Tau

22 Ti i mblodhe tmerruesit e mi përreth

si për festë.

Në ditën e zemërimit të Zotit

askush nuk mbeti gjallë.

Ata që kisha lindur e mëkuar

armiku i shfarosi.