Dalja 23

Ligji për drejtësi

Mos përhap lajme të rreme. Mos iu bëj krah të paudhit duke u bërë dëshmitar i tij. Mos ndiq shumicën për të bërë të keqen. Mos jep dëshmi të rreme në gjyq për t’i mbajtur anën shumicës duke shtrembëruar drejtësinë. Mos i mbaj anën në gjyq as të varfrit.

Kur gjen kaun ose gomarin e humbur të armikut, ktheja. Kur shikon gomarin e atij që të urren, të rrëzuar nën barrë, mos e braktis, por ndihmoje ta ngrejë.

Mos ia shkel të drejtën skamësit në gjyq. Mos u përfshi me padi të rreme dhe mos e vrit të pafajshmin e të drejtin, sepse unë nuk do ta shfajësoj të paudhin. Mos merr mitë, se ajo verbon të urtët dhe përmbys çështjen e të drejtëve.

Mos e shtypni të huajin, sepse ju e dini mirë se ç’do të thotë të jesh i huaj, ngaqë vetë ishit të huaj në tokën e Egjiptit.

Ligji për të shtunën

10 Toka të mbillet e të korret për gjashtë vjet. 11 Në vitin e shtatë, toka të pushojë dhe të lihet djerr. Të varfrit mes jush të hanë prej saj dhe çfarë mbetet, ta hanë kafshët e egra. Kështu do të veprosh edhe me vreshtat dhe ullishtat e tua.

12 Gjashtë ditë do të punosh, por ditën e shtatë do të pushosh me qëllim që kau e gomari yt të çlodhen, dhe biri i shërbëtores dhe i huaji të marrin veten.

13 Mbani çdo gjë që ju kam thënë. Mos i përmendni emrat e perëndive të tjerë e as mos i zini me gojë.

Festat vjetore

14 Tri herë në vit kremto në nderin tim. 15 Kremto festën e Bukëve të ndorme. Për shtatë ditë do të hash bukë të ndorme, ashtu siç të kam urdhëruar të bësh në kohën e caktuar të muajit Abib, sepse në atë muaj dole nga toka e Egjiptit.

Askush të mos dalë para meje duarbosh.

16 Kremto festën e të Korrave të prodhimeve të para që mbolle në ara. Kremto festën e të Vjelave në fund të vitit, kur mblidhen prodhimet e vona të arave. 17 Çdo mashkull të paraqitet tri herë në vit para Zotit Perëndi.

18 Mos e kushto gjakun e flisë sime bashkë me të mbrujturat. Mos e ruaj dhjamin e flisë të së kremtes sime për të nesërmen. 19 Prodhimet e para të tokës, më të mirat, do t’i sjellësh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd.

Mos e ziej kecin me qumështin e së ëmës.

Toka e premtuar

20 Ja, unë po dërgoj një engjëll para teje që të të ruajë rrugës dhe të të sjellë në vendin që kam përgatitur. 21 Nderoje dhe dëgjoje. Mos e hidhëro, se ai nuk do t’i falë shkeljet që bën, sepse në të është emri im. 22 Nëse ia dëgjon fjalën me kujdes dhe bën gjithçka që të them, do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu.

23 Kur engjëlli im t’ju prijë e t’ju sjellë tek amoritët, hititët, perizitët, kananitët, hivitët dhe jebusitët, unë do t’i shfaros. 24 Mos i adhuroni perënditë e tyre, mos i nderoni dhe as mos bëni siç bëjnë ata, por shkatërrojini perënditë e tyre dhe rrënojini përmendoret e tyre. 25 Shërbeji Zotit, Perëndisë tënd, dhe unë do të bekoj bukën e ujin tënd dhe do ta largoj prej teje sëmundjen. 26 Asnjë grua në vendin tënd nuk do dështojë dhe asnjëra nuk do të jetë beronjë. Do të të jap jetë të gjatë.

27 Do të dërgoj para teje tmerrin tim, që të hutoj çdo popull që do të hasësh dhe do të bëj që tërë armiqtë e tu të të kthejnë shpinën. 28 Do të dërgoj para teje një plagëi, që të dëbojë hivitët, kananitët dhe hititët. 29 Nuk do t’i dëboj brenda vitit, që toka të mos mbetet e shkretë dhe të mos shtohen egërsirat kundër teje. 30 Do t’i dëboj pak nga pak derisa ti të shumohesh dhe të marrësh tokën në zotërim.

31 Do t’i vë kufijtë e tu nga deti i Kuq deri te deti i Filistinëve, nga shkretëtira deri te lumi Eufrat. Banorët e vendit do t’i lë në dorën tënde dhe ti do t’i dëbosh. 32 Mos lidh besëlidhje me ta dhe me perënditë e tyre. 33 Mos i lejo të banojnë në tokën tënde, se do të të bëjnë të mëkatosh kundër meje, do t’u shërbesh perëndive të tyre. Kështu do të zihesh në kurth».


 i23.28 të tjerë: grerëza