Jeremia paralajmëron Sedekinë
1 Sedekia, biri i Josisë, u bë mbret në vend të Konjahut, birit të Jehojakimit. Nabukodonosori, mbreti i Babilonisë, e bëri mbret në tokën e Judës. 2 Megjithatë, as ai, as shërbëtorët e tij, as populli i vendit nuk i dëgjuan fjalët që kishte shpallur Zoti me anë të profetit Jeremi.
3 Mbreti Sedeki dërgoi te Jeremia Jehukalin, birin e Shelemiahut, dhe priftin Sofoni, birin e Masejahut, për t’i thënë: «Lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë». 4 Jeremia hynte e dilte në popull, se nuk e kishin futur ende në burg. 5 Ushtria e faraonit kishte dalë nga Egjipti dhe kaldenjtë, që e kishin rrethuar Jerusalemin, sapo e morën vesh, u larguan nga Jerusalemi.
6 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua profetit Jeremi e i tha: 7 «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Kështu thuaji mbretit të Judës, që të dërgoi tek unë, për të më pyetur, se, ja, ushtria e faraonit, që erdhi për t’ju ndihmuar, po kthehet në Egjipt, në tokën e vet. 8 Atëherë do të kthehen kaldenjtë, do të luftojnë kundër këtij qyteti, do ta pushtojnë e do ta djegin me zjarr”. 9 Kështu thotë Zoti: mos e gënjeni veten duke thënë: “Kaldenjtë do të largohen nga ne”, se ata nuk do të largohen. 10 Se, edhe nëse e shpartalloni mbarë ushtrinë e kaldenjve, që po lufton kundër jush, e nëse mbeten ndër ta vetëm të plagosurit, secili do të ngrihej nga tenda e vet e do t’i vinte zjarrin këtij qyteti».
Burgosja e Jeremisë
11 Kur ushtria e kaldenjve u largua nga Jerusalemi, për shkak të ushtrisë së faraonit, 12 Jeremia doli nga Jerusalemi për të shkuar në tokën e Benjaminit, për të marrë pjesën që i takonte mes popullit. 13 Kur ishte te porta e Benjaminit, një përgjegjës i rojtarëve me emrin Irijah, biri i Shelemiahut, të birit të Hahanjahut, e kapi profetin Jeremi e i tha: «Po kalon me kaldenjtë». 14 Jeremia u përgjigj: «Gënjeshtër! Nuk po kaloj me kaldenjtë». Por Irijahu nuk e dëgjoi. E kapi Jereminë dhe e çoi te prijësit. 15 Prijësit ishin të zemëruar me Jereminë. E rrahën dhe e futën në burg, në shtëpinë e shkruesit Jonatan, të cilën e kishin kthyer në burg. 16 Pasi Jeremia kishte hyrë në sternë, në një qeli, dhe kishte ndenjur aty shumë ditë, 17 mbreti Sedeki çoi njerëz për ta marrë dhe mbreti e pyeti fshehurazi, në pallatin e vet: «A ka ndonjë fjalë nga Zoti?». Jeremia u përgjigj: «Ka» dhe tha: «Ti do të biesh në dorë të mbretit të Babilonisë». 18 Pastaj Jeremia i tha mbretit Sedeki: «Çfarë mëkati kam bërë kundër teje, kundër shërbëtorëve të tu e kundër këtij populli, që më keni futur në burg? 19 E ku janë profetët tuaj që profetizonin për ju e thoshin: “Mbreti i Babilonisë nuk do të vijë kundër jush e kundër kësaj toke”? 20 Tani dëgjo, imzot mbret, mbaje parasysh lutjen time. Mos më kthe në shtëpinë e shkruesit Jonatan, që të mos vdes atje». 21 Mbreti Sedeki dha urdhër ta vinin Jereminë në tremen e burgut. I jepnin çdo ditë një kulaç bukë nga Rruga e Furrtarëve, deri kur mbaroi tërë buka në qytet. Kështu, Jeremia mbeti në tremen e burgut.