Jeremia 12

Ankimi i Jeremisë

Ti je i drejtë, o Zot,

që unë të të bëj gjyq,

por për vendimet dua të flas me ty.

Pse përparon udha e të mbrapshtëve

dhe të gjithë tradhtarët janë të qetë?

Ti i mbolle e ata vënë rrënjë,

rriten e japin fryte.

Të mbajnë afër me gojë,

por larg ndjenjaveb të tyre.

Por ti, o Zot, më njeh e më sheh,

ma sprovove zemrën e ajo është me ty.

Shqyeji porsi delet në thertore,

ndaji veç për ditën e therjes.

Deri kur do të rrijë në zi toka

e bari i mbarë fushave do të vyshket?

Kafshët e zogjtë shfarosen,

për shkak të banorëve,

se thonë: «Ai nuk e sheh të ardhmen tonë».

Përgjigjja e Zotit

Nëse ke vrapuar me këmbësorët e je lodhur,

si do të bësh garë me kuajt?

Nëse ke besim vetëm në një tokë të qetë,

çfarë do të bësh në shkurrnajën e Jordanit?

Se edhe vëllezërit tuaj e shtëpia e atit tënd,

edhe ata të bënë dredhi,

edhe ata të hakërrehen nga pas me plot gojën.

Mos u beso,

edhe nëse të flasin ëmbël.

E braktisa shtëpinë time,

e flaka trashëgiminë time,

e lëshova të dashurën e shpirtit tim

në duart e armiqve të mi.

Trashëgimia ime sillet me mua

si luani në pyll.

Ngriti zërin kundër meje,

prandaj e përbuz.

Vallë, zog grabitqar larosh

është trashëgimia ime për mua?

Le ta rrethojnë zogjtë grabitqarë.

Shkoni, mblidhni mbarë kafshët e egra

e sillini të hanë.

10 Barinj të shumtë e dëmtuan vreshtin tim,

e shkelmuan arën time,

arën time të dashur

e kthyen në djerrinë të shkretë.

11 E kthyen në dhe të shkretë

e ashtu e shkretë më qahet mua.

E shkretë është mbarë toka,

se askush nuk e ka për zemër.

12 Në të gjitha rrahet e shkretëtirës

rendin shkatërrimtarët,

se shpata e Zotit përlan

nga njëri skaj i tokës në skajin tjetër

e s’ka paqe për asnjë gjallesë.

13 Mbollën drithë e korrën driza,

u munduan e gjë s’fituan,

do të turpërohen me të korrat e veta,

për shkak të zemërimit të flaktë të Zotit.

14 Kështu thotë Zoti: «Në lidhje me të afërmit e mi të mbrapshtë, të cilët prekin trashëgiminë që i dhashë popullit tim Izraelit, ja, do t’i zhbij nga mbarë dheu i tyre e do të shkul edhe shtëpinë e Judës nga mesi i tyre. 15 Por, pasi t’i kem shkulur, do të kthehem, do t’i përdëllej e do t’i kthej secilin te trashëgimia e vet dhe te toka e vet. 16 Pastaj, nëse mësojnë udhët e popullit tim dhe betohen në emrin tim: “Pasha Zotin e gjallë”, siç kishin mësuar popullin tim të betohej për Baalin, atëherë do të zënë vend në mes të popullit tim. 17 Nëse nuk do të dëgjojnë, do ta zhbij atë komb e do ta zhduk, kumton Zoti».


 b12.2 he. veshkave