Jeremia 8

«Në atë kohë, kumton Zoti, do të nxirren nga varret eshtrat e mbretërve të Judës, eshtrat e princave, eshtrat e priftërinjve, eshtrat e profetëve dhe eshtrat e banorëve të Jerusalemit. Do të shpërndahen para diellit e hënës, para mbarë ushtrisë së qiejve, që ata i deshën, të cilëve u shërbyen, pas të cilëve shkuan, që u kërkuan udhëzim e i adhuruan. Jo, nuk do të mblidhen e as do të varrosen, por do të mbeten si plehu përmbi dhe. Do të zgjedhë vdekjen më shumë se jetën mbarë teprica që do të mbesë prej kësaj dere të mbrapshtë në vendet ku do t’i dëboj, kumton Zoti i ushtrive».

Mëkati dhe kokëfortësia e Izraelit

«Do t’u thuash, se kështu thotë Zoti:

kush rrëzohet, a nuk ngrihet sërish?

Kush shmanget, a nuk kthehet sërish?

Përse ky popull, Jerusalemi, u shmang,

u bë besëshkalë, kokëfortë,

u kap fort pas mashtrimit

e u bë i pandreqshëm?

Ua vura veshin dhe i dëgjova,

por nuk flisnin hijshëm.

Askush nuk tërhiqet nga ligësia e vet

e thotë: “Çfarë bëra?”.

Të gjithë kthehen në harbimin e vet,

siç lëshohet kali në betejë.

Edhe lejleku në qiell e njeh kohën e vet,

turtulli, dallëndyshja e mëllenja

e mbajnë kohën e rikthimit,

por populli im nuk e njeh ligjësinë e Zotit.

Si mund të thoni: jemi të urtë,

se kemi me vete ligjin e Zotit?

Ja, në mashtrim e ktheu

pena mashtruese e shkruesve.

Të urtët do të turpërohen,

do të hutohen e do të zihen në lak.

Ja, e përzunë fjalën e Zotit,

e çfarë urtie mund të kenë?

10 Prandaj, gratë e tyre do t’ua jap të tjerëve,

arat e tyre pushtuesve,

se nga më i vogli te më i madhi

të gjithë kërkojnë të përfitojnë,

nga profeti deri te prifti

të gjithë veprojnë me mashtrim.

11 Mjekojnë me mendjelehtësi plagën e popullit tim

e thonë: “Paqe, paqe”,

por paqe nuk ka.

12 A u bënë me turp kur vepruan neveritshëm?

As turpi nuk i mbuloi,

as të skuqen nuk ditën,

prandaj do të bien me të rënët,

kur t’i ndëshkoj, do të shemben, kumton Zoti.

13 Do të mblidhja e do të vilja, kumton Zoti,

por nuk ka vile në hardhi,

nuk ka fiq në fik,

edhe gjethet janë vyshkur

gjithçka u dhashë ka kaluar.

14 Pse rrimë shtruar ne?

Mblidhuni të shkojmë në qytetet e fortifikuara

e aty të fundosemi,

se Zoti, Perëndia ynë, na fundosi,

se na dha të pimë ujë me helm,

ngaqë mëkatuam kundër Zotit.

15 Prisnim paqen, por nuk ka mirësi,

kohën e shërimit, por, ja, tmerr.

16 Nga Dani dëgjohet hingëllima e kuajve të tij,

prej zërit ushtues të hamshorëve të tij dridhet toka mbarë.

Vijnë dhe e përpijnë tokën me gjithçka është plot,

qytetin me banorët e tij.

17 Se ja, po dërgoj mes jush gjarpërinj,

nepërka që nuk magjepsen,

dhe do t’ju kafshojnë, kumton Zoti».

Vajtimi i Jeremisë

18 «Iku ngazëllimi im e më mbuloi pikëllimi,

zemra po më lëshon.

19 Ja zëri kushtrues i bijës së popullit tim

nga një tokë e largët:

“A nuk është Zoti në Sion?

A nuk është aty mbreti i tij?

Përse më zemëruan me idhujt e tyre,

me kotësitë e huaja?”.

20 Kaluan të korrat, iku vera

e ne nuk kemi shpëtim.

21 Lëndimi i bijës së popullit tim më lëndon,

mbaj zi e më ka zënë pikëllimi.

22 A nuk ka balsam në Gilead?

A nuk ka mjek atje?

Përse, pra, nuk iu përtëri shëndeti

bijës së popullit tim?

23 a Ah, kokën gurrë uji ta kisha

e sytë burim lotësh,

ditë e natë të qaja

të therurit e bijës së popullit tim».


 a8.23 të tjerë e rendisin si 9.1