Jeremia 4

«Nëse do të kthehesh, o Izrael, kumton Zoti,

tek unë kthehu.

Nëse i flak prej meje pështirësitë e tua

e nuk bredh,

e nëse betohesh: “Pasha Zotin!”,

me vërtetësi, me drejtësi e me të drejtë,

falë tij kombet do të bekohen,

falë tij do të mburren.

Kështu u thotë Zoti njerëzve të Judës e të Jerusalemit:

hapni tokë të re

e mos mbillni ndër ferra.

Rrethprituni për Zotin,

flakeni lafshën prej zemrës,

o njerëzit e Judës

e banorët e Jerusalemit,

që të mos flakërojë si zjarr zemërimi im

e të mos djegë pa u shuar,

për shkak të bëmave tuaja të liga».

Rrënimi vjen nga veriu

«Njoftoni nëpër Judë, le të merret vesh në Jerusalem e shpallni:

bini borisë nëpër vend,

bërtitni fort e thoni:

mblidhuni,

të hyjmë në qytetet e fortifikuara!

Lartësoni një shenjë drejt Sionit,

merrni arratinë e mos ngurroni,

se nga veriu po e sjell mjerimin

dhe rrënimin e madh.

Luani u ngrit nga strofulli i vet,

doli për udhë

rrënimtari i kombeve,

doli nga vendi i tij

për ta shkretuar vendin tuaj.

Qytetet tuaja,

rrënoja pa banorë do të jenë.

Prandaj mbulohuni me grathore,

vajtoni e vini kujën,

se nuk do të zmbrapset

zemërimi flakërues i Zotit.

Atë ditë, kumton Zoti, do t’i lëshojë zemra mbretin dhe princat. Priftërinjtë do të çoroditen dhe profetët do të trullosen. 10 Unë thashë: “Ah, Zot, Zoti im, me të vërtetë e paske gënjyer këtë popull dhe Jerusalemin, kur i the: ‘Do të keni paqe’, por ja që shpata mbërriti në gurmaz”.

11 Në atë kohë do t’i thuhet këtij populli dhe Jerusalemit: “Drejt bijës së popullit tim fryn era përzhitëse e pllajave të shkretëtirës, por jo për të hedhur e as për të pastruar. 12 Një erë rrëmbyese po vjen për mua. Tani edhe unë do të flas në gjyq kundër tyre”.

13 Ja, ai përparon si reja,

porsi stuhia karrocat e tij.

Kuajt e tij janë më të shpejtë se shqiponjat.

Mjerë ne, se morëm fund.

14 Pastroje zemrën nga ligësia, Jerusalem,

që të shpëtosh.

Deri kur do t’i mbash në gji

mendimet e tua të mbrapshta?

15 Se një zë lajmëron nga Dani,

nga kodrat e Efraimit ai shpall mjerimin.

16 Kujtojuani kombeve,

njoftojeni Jerusalemin:

pushtuesit po vijnë nga një dhe i largët,

kundër qyteteve të Judës lëshojnë klithma.

17 E kanë rrethuar si rojat e arës,

se ngriti krye kundër meje, kumton Zoti.

18 Sjellja jote dhe veprat e tua

ta bënë këtë.

Ky është fati yt i hidhur

që të ka mbërritur deri në zemër».

Rrënimi i Judës

19 «U përvëlova, u përvëlova! U kapita.

Po më plas zemra,

po më dridhet zemra.

Nuk mund të hesht,

se dëgjova zërin e borisë,

kushtrimin e betejës.

20 Rrënim përmbi rrënim lajmërohet,

se mbarë dheu do të rrënohet.

Befas tendat e mia u rrënuan

e pëlhurat e mia në një çast.

21 Deri kur do ta shikoj flamurin

e do të dëgjoj zërin e borisë?

22 Se i çmendur është populli im

e nuk më njeh.

Janë bij të marrë

që nuk kuptojnë.

Janë të zgjuar për të bërë të keqen,

por të mirën nuk dinë ta bëjnë.

23 Shikova tokën dhe, ja, e shkretë dhe e zbrazët.

Edhe qiellin, por nuk kishte ndriçues.

24 Shikova malet, dhe, ja, ato dridhen,

të gjitha kodrat lëkunden.

25 Shikova dhe, ja, nuk ka njeri,

shpendët e qiellit kanë ikur të tërë.

26 Shikova dhe, ja, toka pjellore ishte e shkretë,

të gjitha qytetet e saj ishin shembur para Zotit,

para zemërimit të tij përcëllues.

27 Sepse kështu thotë Zoti: “Mbarë toka do të rrënohet, por nuk do ta zhbij krejt.

28 Prandaj, toka do të mbajë zi

e qielli përsipër do të ngryset,

se fola e vendosa

e nuk do të pendohem, as do të tërhiqem”.

29 Nga zëri i kalorësit dhe i harkëtarit

çdo qytet merr arratinë,

çajnë nëpër shkurre, ngjiten nëpër shkëmbinj,

çdo qytet braktiset,

asnjë banor nuk mbetet.

30 Po ti, o e shkretuar, çfarë do të bësh?

Edhe sikur të vishesh me purpur,

edhe sikur të stolisesh me ar,

edhe sikur t’i lyesh sytë,

që të të duken të mëdhenj,

kot zbukurohesh.

Dashnorët e tu do të të përçmojnë,

ata kërkojnë të të marrin shpirtin.

31 Dëgjova një zë si ai i gruas në dhimbje,

një ankim, si i asaj që lind për herë të parë:

është zëri i bijës së Sionit, që gulçon

e shtrin duart:

“Mjerë unë!

Po më fiket shpirti për shkak të vrastarëve”».