Kthimi
1 «Nëse një burrë e dëbon gruan
e ajo shkon e bëhet gruaja e tjetërkujt,
a do të kthehet ai prapë tek ajo?
A nuk është fëlliqur ajo tokë?
Ti kurvërove me shumë dashnorë
e dashke të kthehesh tek unë? Kumton Zoti.
2 Ngriji sytë drejt rraheve e shiko:
ku nuk u shthure?
Rrije e i prisje ndanë rrugës,
siç pret arabi në shkretëtirë.
E fëlliqe tokën me kurvërinë tënde
e me përdaljen tënde.
3 Prandaj u ndalën shirat
e reshjet pranverore nuk ranë,
por ti ke fytyrën e gruas së përdalë
e nuk e njeh turpin.
4 E tani më thërret mua:
“Ati im, i dashuri i rinisë ti je.
5 A do ta mbajë ai zemërimin përgjithmonë?
A do ta ruajë deri në amshim?”.
Ja, ti flet,
por bën prapësi sa të mundesh».
Thirrje për pendesë
6 Zoti më tha, në ditët e mbretit Josi: «A ke parë çfarë bëri Izraeli, besëshkali? U ngjit në çdo kodër të lartë, shkoi nën çdo pemë të harbuar e atje u kurvërua. 7 E unë thosha: “Pasi t’i ketë bërë të gjitha këto, do të kthehet tek unë”, por s’u kthye. E ka parë edhe Juda, motra e saj tradhtare. 8 Ajo pa se për shkak të të gjitha kurorëshkeljeve që bëri Izraeli, besëshkali, e dëbova e i dhashë letrën e ndarjes, megjithatë motra e saj tradhtare nuk u tremb, por edhe ajo shkoi e u kurvërua 9 dhe e ndoti tokën me përdaljen e saj mendjelehtë. Ajo u kurvërua me gurë e me drurë. 10 Megjithëkëtë, Juda, motra e saj tradhtare, nuk u kthye tek unë me gjithë zemër, por vetëm me mashtrim, kumton Zoti».
11 Atëherë Zoti më tha: «Izraeli besëshkalë u tregua më i drejtë se Juda, tradhtarja. 12 Shko, lësho këtë thirrje në drejtim të veriut, e thuaj:
kthehu, o Izrael besëshkalë, kumton Zoti.
Nuk do të tregohem i zemëruar me ju,
se jam përdëllyes, kumton Zoti.
Nuk do ta mbaj përgjithmonë zemërimin.
13 Vetëm prano fajin,
se ngrite krye kundër Zotit, Perëndisë tënd,
u ndërzeve me të huajt nën çdo pemë të harbuar
e nuk iu binde zërit tim, kumton Zoti.
14 Kthehuni, o bij të shkarë, kumton Zoti,
se unë jam zotëria juaj.
Unë do t’ju marr,
njërin nga një qytet e dy nga një familje
e do t’ju sjell në Sion.
15 Do t’ju jap barinj sipas zemrës sime që do të kujdesen për ju me urti e mençuri. 16 Pasi të shumoheni e të shtoheni mbi dhe, ato ditë, kumton Zoti, nuk do të përmendet më arka e besëlidhjes së Zotit. Nuk do t’i bjerë ndër mend më askujt, nuk do të kujtohen, nuk do ta ndiejnë mungesën e nuk do të ndërtohet sërish. 17 Në atë kohë do ta quajnë Jerusalemin: “Froni i Zotit” dhe të gjitha kombet do të mblidhen në Jerusalem në emër të Zotit e nuk do të ndjekin prapë me ngulm zemrën e tyre të ligë. 18 Në ato ditë, shtëpia e Judës do të shkojë te shtëpia e Izraelit e do të ecin së bashku nga dheu i veriut drejt dheut që u dhashë etërve tuaj për trashëgim.
19 Unë thashë:
si mund të të rreshtoj me bijtë
e të të jap një tokë të lakmueshme,
trashëgiminë më të hijshme mes kombeve.
Kujtova se do të më thërrisnit: “Ati im”
e do të vinit pas meje pa u vërtitur.
20 Por, si gruaja që tradhton të shoqin,
kështu më tradhtuat, o shtëpia e Izraelit, kumton Zoti.
21 Një zë dëgjohet përmbi rrahe:
dënesa dhe ofshama e bijve të Izraelit,
se i kanë përdredhur udhët e veta,
e kanë harruar Zotin, Perëndinë e tyre.
22 Kthehuni, o bij ikanakë!
Unë do ta shëroj besëshkeljen tuaj.
“Ja, erdhëm te ti,
sepse ti je Zoti, Perëndia ynë.
23 Vërtet mashtruese janë kodrinat,
rrapëllimë janë malet.
Vërtet në Zotin, Perëndinë tonë,
është shpëtimi i Izraelit.
24 Që në rininë tonë e gëlltiti turpi mundin e etërve tanë, bashkë me grigja e me tufa, me bij e me bija. 25 Le të shtrihemi mbi turpin tonë e me kobin tonë le të mbulohemi, se mëkatuam kundër Zotit, Perëndisë tonë, ne dhe etërit tanë, që nga rinia jonë e deri më sot, dhe nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Perëndisë tonë”».