Jeremia 1

Jeremia

Fjalët e Jeremisë, birit të Hilkiahut, njërit prej priftërinjve të Anatotit në dheun e Benjaminit, të cilit iu drejtua fjala e Zotit në kohën e Josisë, birit të Amonit, mbretit të Judës, në vitin e trembëdhjetë të mbretërimit të tij dhe në kohën e Jehojakimit, birit të Josisë, mbretit të Judës, deri në fund të vitit të njëmbëdhjetë të Sedekisë, birit të Josisë, mbretit të Judës, deri në shpërnguljen e Jerusalemit, në muajin e pestë.

Thirrja e Jeremisë

Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha:

«Para se të të jepja trajtë në barkun amënor, të njoha,

para se të dilje nga rropullitë, të veçova,

profet për kombet të caktova».

Thashë: «Ah, Zot, Zoti im, ja, unë nuk di të flas, se jam i ri». Por Zoti më tha:

«Mos thuaj: “Jam i ri”,

se do të shkosh te të gjithë ata ku po të dërgoj

e do të thuash gjithçka të urdhëroj.

Mos u tut prej tyre,

se unë jam me ty për të të çliruar. Kumton Zoti».

Zoti shtriu dorën e më preku gojën. Pastaj Zoti më tha:

«Ja, vura në gojën tënde fjalët e mia.

10 Shiko, sot po të vë përmbi kombe e përmbi mbretëri,

për të shkulur e për të rrënuar,

për të shkatërruar e për të shembur,

për të ndërtuar e për të mbjellë».

11 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Çfarë shikon, Jeremi?». Thashë: «Një degë bajameje shikoj». 12 Zoti më tha: «Mirë ke parë! Se unë i mbaj sytë hapur mbi fjalën time, për ta zbatuar». 13 Fjala e Zotit m’u drejtua e më tha: «Çfarë shikon?». Thashë: «Një vorbë që zien shoh, me pamje kah veriu».

14 Pastaj Zoti më tha: «Nga veriu do të vërshojë mjerimi mbi të gjithë banorët e dheut. 15 Se, ja, po i thërras të gjitha fiset e mbretërive të veriut, kumton Zotit, dhe ata do të vijnë e secili do ta vendosë fronin te hyrja e portave të Jerusalemit, kundër mureve përreth tij e kundër gjithë qyteteve të Judës. 16 Atëherë do të shpall vendimet e mia kundër tyre, për ligësinë me të cilën më braktisën e u kushtuan fli perëndive të tjerë, duke adhuruar veprat e duarve të veta. 17 Por ti, ngjish brezin, ngrihu e shpallu gjithçka të urdhëroj unë. Mos u trondit para tyre, që të mos të trondis edhe unë para tyre. 18 Ja, unë sot po të bëj si një qytet të rrethuar me ledhe, si shtyllë të hekurt e si muret e bronzta kundër mbarë dheut, kundër mbretit të Judës e prijësve të tij, kundër priftërinjve të tij e popullit të dheut. 19 Do të luftojnë kundër teje, por nuk do të të mposhtin, se unë jam me ty për të të shpëtuar, kumton Zoti».