1 Sikur të ishe si zjarri që djeg shkurret
e që ujin e bën të vlojë,
që t’ua bëje të njohur armiqve emrin tënd.
Para teje kombet do të dridheshin!
2 Kur bëre mrekulli që ne nuk i pritnim,
zbrite e para teje u trandën malet.
3 Që nga lashtësia nuk ishte dëgjuar,
askujt s’ia dëgjuan veshët e nuk ia panë sytë,
që tjetër Perëndi, veç teje, të vepronte
për atë që kishte shpresë tek ai.
4 Përpara u del atyre që me gëzim
zbatojnë drejtësinë
atyre që s’të harrojnë,
por ecin udhëve të tua.
Ja, vërtet ishe i zemëruar,
sepse kishin mëkatuar.
Për shumë kohë ishim në mëkatet tona,
si do të shpëtojmë vallë?
5 Jemi bërë të gjithë si të papastër
e çdo drejtësi e jona si rrobë e ndyrë,
të gjithë po vyshkemi si gjethja,
paudhësitë po na degdisin larg si era.
6 S’ka kush ta thërrasë më emrin tënd,
s’ka kush të ngrihet e të mbështetet te ti,
se e ke fshehur prej nesh fytyrën tënde,
na ke lënë të tretemi prej paudhësive tona.
7 Por, ti, o Zot, ti je ati ynë,
ne jemi balta e ti poçari,
të gjithë jemi vepra e duarve të tua.
8 Mos u zemëro për së tepërmi, o Zot,
e mos i kujto përherë paudhësitë tona.
Ja, të përgjërohemi të na vështrosh,
të gjithë jemi populli yt.
9 Qytetet e tua të shenjta janë shkretuar,
i shkretë ka mbetur Sioni,
rrënojë është bërë Jerusalemi.
10 Tempulli ynë i shenjtë e i madhërishëm,
vendi ku të lavdëronin etërit tanë,
është përpirë prej zjarrit.
Gjithçka që e kishim të çmuar
është kthyer në gërmadhë.
11 Edhe pas gjithë këtyre,
do të përmbahesh, o Zot?
Mos vallë do të heshtësh?
Kaq shumë do të na mundosh?