Rënia e Babilonisë
1 Ra Beli, u rrëzua Neboja!
Idhujt e tyre janë ngarkuar
mbi kafshë e mbi bagëti.
Barrët, që ju i mbanit,
rëndojnë mbi kafshët e këputura.
2 Kanë rënë, janë rrëzuar të gjitha,
ngarkesën nuk e shpëtojnë dot,
edhe ato vetë po shkojnë në robëri.
3 Më dëgjoni, o shtëpi e Jakobit,
dhe tërë ju, o teprica e shtëpisë së Izraelit,
ju që ju kam mbajtur që në bark të nënës,
që ju kam mbartur që në ngjizje.
4 Derisa të plakeni, unë jam po ai,
derisa të thinjeni, unë do t’ju mbaj.
Unë ju kam bërë, unë do t’ju mbart,
unë do t’ju mbaj e do t’ju çliroj.
5 Me kë doni të më barazoni
e të ngjashëm të më bëni?
Me kë doni të më krahasoni,
që të njëjtë të jemi?
6 Nga kuleta e nxjerrin arin,
argjendin në peshore e matin,
paguajnë argjendarin që t’ua punojë hyjninë,
bien përmbys para saj dhe e adhurojnë.
7 E ngrenë mandej mbi supe për ta mbartur,
në vendin e duhur e vendosin.
Atje qëndron, s’luan vendit,
edhe po t’i thërrasësh, nuk përgjigjet,
nga fatkeqësia nuk shpëton askënd.
8 Kujtohuni për këtë e mbahuni fort!
Thellohuni për këtë në zemrat tuaja, o të paudhë!
9 Kujtohuni për gjërat e tejshkuara,
se unë jam Perëndia e tjetër s’ka,
unë jam Perëndia e të ngjashëm me mua s’ka.
10 Që nga fillimi e paralajmëroj të ardhmen,
qëmoti, ngjarjet që s’kanë ndodhur ende.
Ju them se qëllimi im do të përmbushet
e gjithë dëshirat e mia do të plotësohen.
11 Nga lindja e thërras shpendin grabitqar,
nga vendi i largët atë njeri për qëllimin tim.
E kam thënë e do ta sjell,
e kam shestuar e do ta bëj.
12 Më dëgjoni mua, o zemërgurë,
ju që i rrini larg drejtësisë.
13 Drejtësia ime po afron, nuk është larg,
shpëtimi im nuk ka për të vonuar,
Sionit do t’i sjell shpëtimin,
lavdinë time, Izraelit.