Mana dhe shkurtat
1 Tërë bashkësia e Izraelit u nis nga Elimi dhe arriti në shkretëtirën e Sinit që është mes Sinait dhe Elimit. Kjo ndodhi në ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të dytë pasi dolën nga toka e Egjiptit. 2 Kur ishin në shkretëtirë, tërë bashkësia e Izraelit zuri të murmuritë kundër Moisiut e Aronit 3 e thoshin: «Ah, sikur të kishim vdekur prej dorës së Zotit në tokën e Egjiptit, kur uleshim pranë sofrës me mish e ngiheshim me bukë! E ju e nxorët tërë këtë bashkësi në këtë shkretëtirë që të vdesë nga uria».
4 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Ja, do të bëj të bjerë bukë prej qiellit dhe populli do të dalë çdo ditë të mbledhë ushqimin e përditshëm. Kështu do ta vë në provë nëse do ta ndjekë ligjin tim apo jo. 5 Ditën e gjashtë mblidhni dyfishin e ushqimit të çdo dite tjetër». 6 Pastaj Moisiu e Aroni u thanë izraelitëve: «Në mbrëmje do të kuptoni se Zoti është ai që ju nxori nga toka e Egjiptit 7 dhe në mëngjes do të shihni lavdinë e Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Sa për mua dhe Aronin, kush jemi ne që murmuritni kundër nesh?!». 8 Moisiu vijoi: «Zoti është ai që në mbrëmje do t’ju japë mish për të ngrënë dhe në mëngjes bukë që të ngiheni. Zoti i dëgjoi murmuritjet tuaja kundër tij. Kush qenkemi ne? Nuk po murmurtni kundër nesh, por kundër Zotit».
9 Atëherë Moisiu i tha Aronit: «Thuaji tërë bashkësisë së Izraelit: “Ejani para Zotit, sepse ai i dëgjoi murmuritjet tuaja!”». 10 Ndërsa Aroni po i fliste bashkësisë së Izraelit, ata u kthyen drejt shkretëtirës dhe ja, lavdia e Zotit u dëftua në re. 11 Zoti i tha Moisiut: 12 «I dëgjova murmuritjet e izraelitëve, prandaj thuaju: “Në mbrëmje do të hani mish, ndërsa në mëngjes do të ngiheni me bukë. Kështu do ta kuptoni se unë, Zoti, jam Perëndia juaj”».
13 Kështu, në mbrëmje ia behën shkurtat dhe mbuluan fushimin e izraelitëve. Në mëngjes ra një shtresë vese përreth tyre. 14 Kur vesa u zhduk, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një shtresë e hollë, e imët porsi bryma mbi tokë. 15 Kur e panë, izraelitët pyetën njëri-tjetrin: «Ç’është kjo?», sepse nuk e dinin çfarë ishte. Atëherë Moisiu u tha: «Kjo është buka që Zoti ju ka dhënë për të ngrënë. 16 Ja çfarë urdhëron Zoti: “Secili të mbledhë aq sa i duhet për të ngrënë. Mblidhni rreth një omer për frymë, sipas numrit të anëtarëve që secili ka në tendën e vet”». 17 Izraelitët mblodhën kush më shumë e kush më pak. 18 Por, kur e peshuan, as ata që kishin mbledhur shumë nuk patën më tepër, as atyre që kishin mbledhur pak nuk u mungoi gjë. Secili kishte mbledhur aq sa i duhej për të ngrënë. 19 Pastaj Moisiu u tha: «Askush të mos ruajë gjë për në mëngjes». 20 Ata nuk e dëgjuan dhe disa e ruajtën deri në mëngjes. Të nesërmen, ushqimi u krimb e u qelb. Atëherë Moisiu u zemërua me ta. 21 Kështu, secili mblidhte mëngjes për mëngjes aq sa i duhej për të ngrënë dhe, kur dielli shkëlqente fort, ajo shkrinte.
22 Ditën e gjashtë izraelitët mblodhën dyfishin e ushqimit, dy omerë për secilin. Kur prijësit e bashkësisë erdhën dhe i treguan Moisiut, 23 ai u tha: «Ja çfarë thotë Zoti: “Nesër është ditë pushimi. Është e shtuna e shenjtë në nder të Zotit. Çfarë keni për të pjekur e për të zier bëjeni që tani dhe gjithçka që ju tepron mbajeni e ruajeni për në mëngjes”». 24 Kështu, ata e ruajtën deri në mëngjes, siç i kishte urdhëruar Moisiu, dhe ushqimi as nuk u qelb e as nuk u krimb. 25 Pastaj Moisiu u tha: «Hajeni sot sepse është e shtunë, ditë në nder të Zotit. Sot nuk do të gjeni ushqim në fushë. 26 Për gjashtë ditë do ta mblidhni, por ditën e shtatë, të shtunën, nuk do të ketë më».
27 Megjithatë, disa dolën për të mbledhur në ditën e shtatë, por nuk gjetën gjë. 28 Atëherë Zoti i tha Moisiut: «Deri kur nuk do t’i zbatoni urdhërimet dhe ligjet e mia? 29 Shikoni! Zoti ju caktoi të shtunën si ditë pushimi, prandaj ditën e gjashtë ju dha dyfishin e ushqimit. Secili të rrijë ku është dhe askush të mos dalë nga vendi i tij ditën e shtatë». 30 Kështu, populli pushoi ditën e shtatë.
31 Populli i Izraelit e quajti ushqimin manë. Ajo ishte si fara e koriandrës, me ngjyrë të bardhë e me shije si kulaçi me mjaltë. 32 Moisiu u tha: «Ja çfarë urdhëron Zoti: “Mbani një omer manë e ruajeni për breznitë e ardhshme që ata të shohin ushqimin me të cilin ju ushqeva në shkretëtirë kur ju nxora nga toka e Egjiptit”». 33 Moisiu i tha Aronit: «Merr një enë, mbushe me një omer manë dhe vëre para Zotit, që të ruhet për breznitë e ardhshme».
34 Aroni e vendosi para dëshmisë që të ruhet siç Zoti e kishte urdhëruar Moisiun. 35 Izraelitët hëngrën manë për dyzet vjet derisa arritën në tokë të banueshme, derisa arritën në kufijtë e tokës së Kanaanit. 36 Një omer është rreth dy kilogramë.