Dalja 15

Kënga e Moisiut

Atëherë Moisiu e izraelitët kënduan këtë këngë për nder të Zotit:

«Këndojini Zotit

se madhërisht ngadhënjeu,

plandosi në det

kuaj e karroca.

Zoti është forca ime dhe këngaf ime.

Ai është shpëtimi im.

Është Perëndia im,

atë do të lavdëroj,

Perëndia i atit tim,

atë do të lartësoj.

Zoti është i fortë në luftë,

Zot është emri i tij.

Karrocat dhe ushtrinë e faraonit

i vërviti në det.

Të përzgjedhurit e tij,

u mbytën në detin e Kuq.

Ujërat i mbuluan,

si gurë u fundosën.

E djathta jote, o Zot,

fuqi madhështore.

E djathta jote, o Zot,

e dërrmon armikun.

Me madhështinë tënde

i rrëzon kundërshtarët.

Zemërimin e lëshon,

që si byku t’i përpijë.

Nga turfullimi yt,

ujërat u bënë pirg,

si mure u ngritën lart

e ngrinë thellë në det.

Armiku thoshte:

“Do t’i ndjek,

do t’i zë,

e prenë do ta ndaj.

Do të më ngopet shpirti.

Shpatën do ta nxjerr

e në dorë do t’i shtie”.

10 Ti i fryve erës

e deti i mbuloi.

E ata ranë si plumb,

në ujërat e tërbuara.

11 Zot, kush është si ti

mes perëndive?

Kush është si ti,

madhështor në shenjtëri,

i tmerrshëm në lavdi,

që bën mrekulli?

12 E shtrive të djathtën

e toka i përpiu.

13 Me mirësi udhëhoqe

popullin që shpëtove.

Me fuqi i prive

drejt shenjtërores tënde.

14 Dëgjuan popujt

e u drodhën.

Ankthi i mbërtheu

banorët e Filistesë.

15 Atëherë u tmerruan

prijësit e Edomit.

Trimat e Moabit

i zunë të dridhurat,

banorët e Kanaanit

u tretën të gjithë nga frika.

16 Tmerri e frika

i pushtoi ata.

Prej fuqisë së krahut tënd

shtangen e ngurosen,

sa të kalojë populli yt, o Zot,

sa të kalojë populli që ti bleve.

17 Popullin do ta marrësh

e do ta mbjellësh

në malin e trashëgimisë tënde,

në banesën tënde,

që ti gatite, o Zot,

Në shenjtëroren që ngrite

me duart e tua, Imzot.

18 Zoti mbretëron

përjetë e përgjithmonë».

19 Kur kuajt, karrocat dhe kalorësit e faraonit hynë në det, Zoti lëshoi mbi ta ujërat e detit. Por izraelitët kaluan përmes detit nëpër tokë të thatë. 20 Atëherë Mirjama, profetesha, motra e Aronit, mori dajren në dorë. Pas saj dolën të gjitha gratë e filluan të kërcejnë me dajre. 21 Mirjama i printe këngës:

«Këndojini Zotit,

se madhërisht ngadhënjeu,

plandosi në det

kuaj e karroca».

Në shkretëtirë

22 Pastaj Moisiu i çoi izraelitët nga deti i Kuq në shkretëtirën e Shurit. Ata udhëtuan për tri ditë nëpër shkretëtirë dhe nuk gjetën ujë. 23 Arritën në Marë, por ujin e Marës nuk e pinin dot, se ishte i hidhur. Prandaj edhe quhej Marë. 24 Atëherë populli murmuriti kundër Moisiut dhe tha: «Çfarë të pimë tani?». 25 Moisiu i thirri Zotit dhe ai i dëftoi një lloj druri. Moisiu e hodhi në ujë dhe uji u bë i ëmbël.

Në atë vend, Zoti i dha popullit rregulla e vendime. Po atje e vuri në provë 26 e i tha: «Nëse e dëgjon me kujdes zërin e Zotit, Perëndisë tënd, nëse bën çfarë është e drejtë para tij dhe u vë vesh urdhërimeve të tij e mban tërë rregullat e tij, atëherë nuk do të lëshoj mbi ty asnjë nga gjëmat që i bëra Egjiptit. Unë jam Zoti, shëruesi yt». 27 Pastaj izraelitët arritën në Elim. Atje kishte dymbëdhjetë burime dhe shtatëdhjetë palma. Ata fushuan pranë ujit.


 f15.2 të tjerë: fuqia