1 Atë ditë Zoti do të ndëshkojë me shpatën e vet të mprehtë, të madhe e të fuqishme Leviatanin, gjarprin dredharak, Leviatanin, gjarprin dredha-dredha, dhe do të vrasë përbindëshin e detit.
Vreshti i Zotit
2 Atë ditë, vreshtit të ëmbël këndojini!
3 Vetë unë, Zoti, e ruaj,
në kohën e duhur e ujis,
dhe, që të mos e dëmtojë askush,
ditë e natë bëj roje.
4 I zemëruar nuk jam.
Po të më vinin ferra e gjemba,
do të marshoja për të luftuar kundër tyre,
në flakë krejt do t’i digjja.
5 Por kush do të kërkojë mbrojtjen time,
do të bëjë paqe me mua,
po, do të bëjë paqe me mua.
6 Në të ardhmen Jakobi do të lëshojë rrënjë,
Izraeli do të lulëzojë e do të çelë sytha,
frutat do ta mbushin faqen e dheut.
7 A mos i ra vallë Izraelit,
aq sa u ra atyre që i binin atij?
A mos u vranë vallë,
aq sa u vranë ata që e vrisnin?
8 E ndëshkoi duke e dëbuar,
padi kundër tij ngriti,
me frymën e tij të fuqishme e degdisi,
në ditën e erës së furishme nga lindja.
9 Kështu do të shlyhet paudhësia e Jakobit,
ky do të jetë fryti i faljes së mëkatit të tij,
kur t’i kthejë tërë gurët e altarit
në pluhur gëlqereje të shuar,
kur shtyllat e Asherave dhe altarët e temjanit
të mos ngrihen më kurrë.
10 Qyteti i fortifikuar i shkretë do të mbetet,
pa banorë e i braktisur si shkretëtira.
Aty do të shkojnë të kullotin viçat,
aty do të shtrihen e degë do të hanë.
11 E kur degët të thahen e të këputen,
do t’i marrin gratë për të ndezur zjarr,
se ky popull nuk ka fare mençuri,
prandaj ai që e bëri,
s’do të ketë për të dhembshuri,
ai që i dha trajtë,
nuk do të ketë për të mëshirë.
12 Atë ditë Zoti do t’i shijë kallëzat,
që nga rrjedha e lumit deri te përroi i Egjiptit,
ndërsa ju një nga një do të mblidheni,
o bij të Izraelit!
13 Atë ditë do të bjerë boria e madhe
e do të vijnë të hapërdarët në tokën e Asirisë,
bashkë me të dëbuarit në dheun e Egjiptit.
Para Zotit do të përkulen
në malin e shenjtë, në Jerusalem.