Profeci kundër Etiopisë
1 Mjerë ti, o tokë me flatra zukatëse,
përtej lumenjve të Kushit,
2 që nëpër det dërgon lajmëtarë.
Lundrojnë ata me lundra xunkthi.
Shkoni shpejt, o lajmëtarë,
drejt popullit shtatlartë e lëkurëbutë,
drejt popullit që ia kanë frikën këtu e kudo,
popull shumë i fortë e ngadhënjimtar
që tokën lumenjtë ia çajnë.
3 Të gjithë ju, o banorë të botës,
e ju që mbi tokë banoni,
kur të jetë ngritur flamuri mbi male, shikoni,
kur të dëgjohet tingulli i borisë, dëgjoni!
4 Se kështu më tha Zoti:
«I qetë do të vrojtoj nga banesa ime,
si i nxehti verbues në dritë,
porsi reja e vesës në vapën e korrjes».
5 Se para korrjes, sapo të ketë mbaruar lulëzimi
e vilet e rrushit të jenë pjekur mirë,
me kizë do t’ia presë shermendet,
do t’ia këpusë lastarët e do t’ia flakë.
6 Të gjithë do t’u lihen shpendëve të malit,
do t’u lihen egërsirave të tokës.
Në vendin e tyre do ta kalojnë verën grabitqarët,
egërsirat e tokës do të kalojnë dimrin.
7 Do t’i sjellin në atë kohë Zotit të ushtrive
dhurata prej një populli shtatlartë e lëkurëbutë,
prej një populli që ia kanë frikën këtu e kudo,
popull shumë i fortë e ngadhënjimtar
që tokën lumenjtë ia çajnë.
Do t’ia sjellin në vendin e emrit të Zotit të ushtrive,
në malin e Sionit.