1 Dërgojini një qengj sunduesit të vendit,
nga Selau i shkretëtirës në malin e bijës së Sionit.
2 Porsi shpendi që rreh krahët,
kur e dëbojnë nga foleja,
ashtu do të jenë bijat e Moabit,
nëpër vatë e Arnonit.
3 Jep këshillë,
merr vendim!
Në mesditë hijen tënde
bëje porsi natën!
Fshihi të ikurit,
mos i tradhto të arratisurit!
4 Le të gjejnë strehim te ti të dëbuarit e Moabit,
ji për ta strehim prej shfarosësit!
Se tirani mori fund, shkatërrimi reshti,
shtypësi u zhduk prej vendit.
5 Do të ngrihet një fron me themelet në mirësi,
me besnikëri do të ulet në tendën e Davidit
një gjykatës që do të kërkojë drejtësi,
i zellshëm për të dhënë të drejtën.
6 Kemi dëgjuar për krenarinë e Moabit,
vërtet shumë krenar,
për krenarinë, kryeneçësinë e kokëfortësinë e tij,
por madhështia e tij është e kotë.
7 Prandaj Moabi do të vajtojë për Moabin,
i gjithi do të shkrihet në vaj,
për bukët me rrush të Kir Haresetit,
i dëshpëruar kujën do të vërë.
8 Ja, fushat e Heshbonit u shkretuan
bashkë me vreshtin e Sibmahut.
Sunduesit e kombeve ia shkatërruan shermendet
që shtriheshin deri në Jazer,
degët nëpër shkretëtirë gjarpëronin
e deri përtej detit të Vdekur kalonin.
9 Prandaj, bashkë me vajtuesit e Jazerit
vreshtin e Sibmahut do të vajtoj.
Do të të përmbyt me lotët e mi,
ty, o Heshbon, dhe ty, o Elealeh,
se mbi të korrat e mbi të vjelat e tua ra gjëma.
10 U zhduk gëzimi e hareja prej fushave pjellore,
nëpër vreshta s’dëgjohet as këngë, as brohori,
nuk ka më verë nëpër torqe,
nuk ka mbetur kush për ta shtrydhur,
britmave të gëzimit u ka ardhur fundi.
11 Prandaj gjithçka përbrenda meje dridhet
për Moabin porsi harpa,
tërë qenia ime për Kir Heresin.
12 Më kot do të mundohet Moabi,
te faltorja në vend të lartë për t’u ngjitur,
do të hyjë në shenjtërore për t’u lutur,
por nuk do të ketë kurrfarë dobie.
13 Kjo është fjala që tha Zoti dikur për Moabin. 14 E tani kështu thotë Zoti: «Brenda tre vjetëve, vitet e një punëtori me mëditje, do të zhduket lavdia e Moabit, me gjithë popullin e tij të shumtë. Do të mbetet vetëm një pakicë e vogël dhe e pafuqishme».