Vreshti i Zotit
1 Do t’i këndoj të dashurit tim një këngë,
këngën e të dashurit tim për vreshtin e tij,
vreshtin, që i dashuri im
mbi një kodër pjellore e kishte.
2 E thuri, e pastroi nga gurët,
me hardhi të zgjedhura e mbolli,
në mes të tij një kullë ndërtoi,
torkun brenda tij gërmoi.
Priste t’i bënte rrush,
por i dha veç larushk.
3 E ju, o banorë të Jerusalemit,
e ju, o burra të Judës,
mes meje e vreshtit tim gjykoni!
4 Ç’të bëj më për vreshtin tim,
që ende s’e paskam bërë?
Tek prisja të më bënte rrush,
përse dha vetëm larushk?
5 E tani më lejoni t’ju dëftej
se ç’do t’i bëj vreshtit tim:
do t’ia shthur gardhin,
që të bëhet djerr,
do t’ia rrëzoj ledhet,
që ta shkelin me këmbë.
6 Do ta lë të mbesë i shkretë,
pa krasitje e pa prashitje,
që të mbijnë ferra e gjemba.
Reve do t’u urdhëroj,
të mos ia lëshojnë shiun.
7 Vreshti i Zotit të ushtrive është shtëpia e Izraelit,
filizat e tij të zgjedhur janë banorët e Judës.
Priti të vepronin drejt
e ja, veç gjakderdhje,
priti të bënin drejtësi
e ja, veç gulçime.
8 Mjerë kush shtëpisë i shton shtëpi,
mjerë kush arës i shton arë!
Në fund s’do të ketë më vend,
vetmitarë do të jeni në mes të tokës.
9 Në veshët e mi Zoti i ushtrive u betua:
vërtet shumë shtëpi do të mbesin të shkreta,
të mëdha e aq të bukura, por pa banorë.
10 Tre hektarë vreshta veç një vozë verë,
dhjetë thasë farë veç një thes fare.
11 Mjerë ata që rendin qëmenatë pas pijeve dehëse
e rrinë deri natën vonë duke u dendur me verë.
12 Në festat e tyre ka harpa e qeste,
dajre, fyej e verë,
por as që duan t’ia dinë për veprën e Zotit,
bëmat e duarve të tij as që i vënë re.
13 Ndaj populli im do të degdiset nga padija,
prej urisë do të vuajnë fisnikët e tij,
turmat do t’i përvëlojë etja.
14 Skëterra e ka hapur mirë grykën,
gojën e ka shqyer gjerë e gjatë.
Në të do të bien fisnikët e turmat,
ajo shamatë e tërë ajo festë.
15 Njeriu do të poshtërohet,
shumë poshtë do të bjerë,
vështrimi i krenarëve do të përulet.
16 Do të lartësohet Zoti i ushtrive,
kur të shpallë gjykim,
Perëndia i shenjtë do ta dëftejë shenjtërinë,
kur të bëjë drejtësi.
17 Do të kullotin atje qengjat si në livadhin e tyre,
të huajt do të ushqehen në rrënojat e pasanikëve.
18 Mjerë ata që, me litarët e mashtrimit,
tërheqin pas vetes paudhësinë,
dhe mëkatin me litarët e qerres.
19 E thonë: «Të nxitojë e ta bëjë shpejt veprën e tij,
që ta shohim,
të përmbushen sa më shpejt shestimet e të shenjtit të Izraelit,
që ta njohim».
20 Mjerë ata që të keqen e quajnë të mirë
e të mirën të keqe,
që terrin e mbajnë për dritë
e dritën për errësirë,
që hidhësinë e mbajnë për të ëmbël
e të ëmblën për të hidhur.
21 Mjerë ata që mbahen për të urtë,
që kujtojnë se janë të mençur.
22 Mjerë ata që janë trima për të pirë verë
e mjeshtra për të përzier pijet dehëse,
23 që e shfajësojnë të paudhin për të marrë mitë
e të drejtit ia mohojnë drejtësinë.
24 Ndaj, sikur gjuha e zjarrit djeg kashtën
e flaka përpin bykun,
ashtu do t’u kalbet rrënja
e lulja e tyre do të fluturojë si pluhuri,
se e hodhën poshtë ligjin e Zotit të ushtrive,
e përçmuan fjalën e të shenjtit të Izraelit.
25 Prandaj u ndez zemërimi i Zotit kundër popullit,
prandaj e shtriu dorën për t’i goditur.
Malet fort u trandën
e kufomat e tyre si plehu mbuluan rrugët,
por zemërimi i tij nuk u fashit
e dora e tij është ende e shtrirë.
26 Flamurin do të ngrejë për kombet e largëta,
do t’u fërshëllejë deri në skajet e tokës
e, ja, kur t’ia behin shpejt e vetëtimthi.
27 Asnjë s’është i lodhur apo i këputur,
asnjë nuk dremit e nuk përgjumet,
Brezi nga ijët nuk u zgjidhet,
rripat e sandaleve nuk u këputen.
28 Shigjetat e tyre janë të mprehta, harqet të ndehura,
thundrat e kuajve të forta si gur stralli,
rrotat e qerreve të luftës si vorbulla e erës.
29 Ulërima e tyre si ulërimë luani,
ulërijnë si këlyshë luani.
Hungërojnë, zënë prenë,
në vend të sigurt e shpien
e askush nuk ua rrëmben.
30 Do të ulërijnë atë ditë mbi të, siç ulërin deti,
Do të hedhin sytë mbi vendin,
do të shohin errësirë e fatkeqësi,
dritën të errësuar prej reve.