Paqja në fund të kohërave
1 Fjala, që Isaia, biri i Amosit, pa në vegim për Judën dhe Jerusalemin.
2 Do të ndodhë në ditët e ardhshme,
që mali i shtëpisë së Zotit
do të hedhë rrënjë mbi majat e maleve,
përmbi kodra do të lartësohet
e kombet mbarë do të vërshojnë drejt tij.
3 Shumë popuj do të vijnë e do të thonë:
«Ejani të ngjitemi në malin e Zotit,
në shtëpinë e Perëndisë së Jakobit,
që udhët e tij të na i mësojë,
që shtigjeve të tij të ecim».
Se prej Sionit do të dalë ligji,
prej Jerusalemit fjala e Zotit.
4 Ai do ta bëjë gjyqin ndërmjet kombeve,
ai do të shpallë vendim për shumë popuj.
Do t’i farkëtojnë shpatat e do t’i bëjnë plugje,
heshtat në drapërinj do t’i kthejnë.
Kombi kundër kombit s’do ta ngrejë shpatën,
për luftë më nuk do të ushtrohet kush.
5 Ejani, o ju të shtëpisë së Jakobit,
le të ecim në dritën e Zotit!
Idhujtaria ndëshkohet
6 Ti e ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit,
se, ja, plot me doke lindore janë mbushur,
plot me shortarë, njëlloj si filistinët,
krah për krah me bijtë e të huajve janë lidhur.
7 Toka u është mbushur me argjend e ar,
thesaret e tyre nuk kanë të sosur,
vendin e kanë plot me kuaj,
qerret e tyre nuk kanë të numëruar.
8 Plot e kanë tokën edhe me idhuj,
adhurojnë veprën e duarve të veta,
çfarë kanë punuar me gishtat e tyre.
9 Prandaj njeriu është përulur,
çdonjëri është poshtëruar,
por ti mos i fal!
10 Hyr në shkëmb, fshihu në pluhur,
para tmerrit të Zotit,
para shkëlqimit të madhërisë së tij.
11 Vështrimi krenar i njeriut do të përulet,
kryelartësia e njerëzve do të poshtërohet,
atë ditë do të lartësohet vetëm Zoti.
12 Se Zoti i ushtrive e ka caktuar një ditë,
kundër çdo krenari e kryelarti,
kundër kujtdo që mbahet me të madh, për ta poshtëruar,
13 kundër gjithë cedrave të Libanit,
të lartë e madhështorë,
kundër gjithë lisave të Bashanit,
14 kundër gjithë maleve të larta,
kundër gjithë kodrave të ngritura,
15 kundër çdo kulle të lartë,
kundër çdo muri të fortifikuar,
16 kundër gjithë anijeve të Tarshishit,
kundër gjithë lundrave të shtrenjta.
17 Krenaria e njeriut do të përulet,
kryelartësia e njerëzve do të poshtërohet,
atë ditë do të lartësohet vetëm Zoti
18 e idhujt do të zhduken krejt.
19 Do të struken nëpër shpellat e shkëmbinjve
e nëpër guvat e tokës,
para tmerrit të Zotit,
para shkëlqimit të madhështisë së tij,
kur të ngrihet për të trandur tokën.
20 Atë ditë do t’ua hedhin
minjve e lakuriqëve të natës
idhujt prej argjendi e prej ari
që i kishin bërë vetë për t’i adhuruar.
21 Do të struken nëpër të çarat e shkëmbinjve
e nëpër zgavrat e shkrepave,
para tmerrit të Zotit,
para shkëlqimit të madhërisë të tij,
kur të ngrihet për të trandur tokën.
22 Mjaft shpresuat te njeriu,
në flegrat e tij ka veç frymë.
Ç’vlerë mund të ketë ai?