Kuvendari 6

Zhgënjimi

Ka një ligësi që e kam parë nën diell. Ajo rëndon shumë mbi njerëzinë. Një njeriu Perëndia i jep pasuri, begati e nderim, pa i mohuar asgjë nga ato që i dëshiron shpirti, por Perëndia nuk i jep mundësinë të ushqehet me to, se vjen i huaji e i ha. Kjo është tymnajë e lëngatë e rëndë. Nëse një njeri lind njëqind fëmijë e jeton shumë vite, nëse i shumohen ditët e jetës, por nuk i kënaqet shpirti me të mira e nuk mund të ketë as varr, them se dështaku do të ishte më mirë se ai. Se erdhi në tymnajë, iku në errësirë dhe errësira do t’ia mbulojë emrin. As diellin nuk e pa e nuk njohu asgjë tjetër. Ky gjeti prehje më mirë se tjetri. Edhe po të jetonte dy herë nga një mijë vjet pa e parë të mirën, a nuk shkojnë të gjithë në të njëjtin vend?

Njeriu derdh gjithë atë mund për gojën e vet, por nuk i kënaqet shpirti. Se ç’dobi ka i urti më shumë se i marri? Ç’fiton ai skamnor që di të sillet me të gjallët? Më mirë është të shohësh me sy, se të bredhësh me ëndje. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës.

10 Gjithçka që është, e ka një emër. Dihet ç’është njeriu. Ai nuk mund të rragatet me dikë që është më i fortë. 11 Sa më shumë të shumohen fjalët, aq më shumë shtohet tymnaja. Ç’dobi ka njeriu? 12 Se kush e di cila është e mira e njeriut në jetë, në ditët e numëruara të tymnajës së jetës së tij, që kalon si hije? Kush mund t’i tregojë njeriut çfarë vjen pas tij nën diell?