Hyrje
1 Fjalët e kuvendarit, birit të Davidit, mbret në Jerusalem.
2 Tymnajë e kaluar tymnajës, thotë kuvendari,
tymnajë e kaluar tymnajës, gjithçka është tymnajë.
3 Ç’dobi ka njeriu nga tërë mundi i vet,
që të mundohet nën diell?
4 Një brezni ikën, një brezni vjen,
por toka mbetet përgjithmonë.
5 Dielli lind e dielli perëndon,
rend për te vendi i vet
e atje rilind.
6 Era fryn kah jugu,
sillet kah veriu,
sillet e përsillet,
por në qerthullin e vet sillet.
7 Të gjithë lumenjtë derdhen në det
e deti nuk mbushet.
Lumenjtë rrjedhin drejt vendit
prej ku nisen sërish.
8 Gjithçka është kapitëse,
sa s’ka njeri ta tregojë.
Syri nuk ngopet me të parë,
veshi nuk ngihet me të dëgjuar.
9 Ç’ka qenë, ajo edhe do të jetë,
ç’është bërë, ajo edhe do të bëhet.
Asgjë të re nuk ka nën diell!
10 A ka ndonjë gjë që të thuhet:
«Shiko, kjo është e re!».
Por ajo kishte qenë qëkur,
në kohët e lashta para nesh.
11 Nuk ka kujtim për kohët e lashta,
por as për të ardhmen nuk u mbetet kujtim
atyre që do të vijnë më vonë.
Kotësia e urtisë
12 Unë, kuvendari, isha mbreti i Izraelit, në Jerusalem, 13 dhe u përpoqa me zemër të hetoja e të zbuloja me anë të urtisë gjithçka që ndodh nën qiell. Kjo është një detyrë e rëndë që Perëndia ua ka dhënë njerëzve për t’u marrë me të. 14 Kam parë gjithçka është bërë nën diell dhe, ja, gjithçka është tymnajë, si të rendësh pas erës.
15 Çka është e shtrembër, nuk drejtohet dot,
nuk mund të numërohet diçka që s’është.
16 Atëherë thashë me vete: «Ja, unë e shtova dhe e shumova urtinë më shumë se të gjithë paraardhësit e mi në Jerusalem. Zemra ime ka parë urti e dituri të shumtë». 17 U dhashë me zemër pas njohjes së urtisë. Edhe marrëzinë dhe çmendurinë e njoha. Por edhe kjo është si të rendësh pas erës.
18 Se, kur urtia është e madhe,
e madhe është edhe ngasja.
Kush shton diturinë,
shton brengën.