1 Kush është kokëfortë ndaj qortimeve,
shpejt do të rrënohet e nuk do të shërohet.
2 Kur mbizotërojnë të drejtët, populli gëzon,
kur sundon i paudhi, populli rënkon.
3 Kush e do urtinë, e gëzon të atin,
por kush shkon me lavire, shfaros pasurinë.
4 Me drejtësi, mbreti e bën të qëndrueshëm vendin,
por, kush e rëndon me tagra, e shkatërron.
5 Kush i bën lajka mikut,
i hedh rrjetën këmbëve.
6 Kush bën shkelje, i ngre kurth vetes,
por i drejti brohoret e gëzohet.
7 I drejti ua njeh të drejtën skamnorëve,
por i paudhi nuk ha arsye.
8 Njerëzit qesëndisës e ndezin qytetin,
por të urtët e zmbrapsin zemërimin.
9 I urti, që ngatërrohet me të marrin,
nxehet, qeshet e s’gjen prehje.
10 Gjakësorët e urrejnë të përkryerin,
por të drejtët kujdesen për të.
11 I marri e shfryn gjithë dufin,
por i urti përmbahet e qetësohet.
12 Prijësi që u vë vesh fjalëve të rreme,
të gjithë shërbëtorët i ka të paudhë.
13 Këtu puqen skamnori e shtypësi:
dritën e syve ua jep Zoti të dyve.
14 Nëse mbreti gjykon me drejtësi skamnorët,
froni i tij do të qëndrojë përgjithmonë.
15 Shkopi dhe qortimi japin urti,
por i riu që lihet i lirë, turpëron të ëmën.
16 Kur mbizotërojnë të paudhët, mbizotëron krimi,
por të drejtët do ta shohin përmbysjen e tyre.
17 Qortoje birin e do të të lërë të qetë,
do të ta kënaqë shpirtin.
18 Kur s’ka vegim profetik, populli shthuret,
por lum ai që mban ligjin.
19 Skllavi nuk ndreqet me fjalë,
të kupton, por s’i vë në zbatim.
20 E shikon njeriun që ngutet për të folur?
Shpreso prej të marrit më shumë se prej tij.
21 Kush e përkëdhel skllavin që në rini,
në fund do të ketë kokëçarje.
22 Gjaknxehti nxit grindje,
idhnaku bën shumë faje.
23 Krenaria do ta poshtërojë njeriun,
por kush përulet, merr nderime.
24 Kush bëhet ortak me vjedhësin, urren veten,
e dëgjon përbetimin, por nuk e tregon.
25 Frika nga njerëzit të vë lakun,
kush beson në Zotin, është i mbrojtur.
26 Shumë e kërkojnë përkrahjen e prijësit,
por e drejta e njeriut vjen prej Zotit.
27 Të drejtëve u neveritet njeriu i padrejtë,
të paudhit i neveritet kush jeton me drejtësi.