1 Kur të ulesh për të ngrënë me një prijës,
ki kujdes kë ke përballë.
2 Vëri fre grykës,
nëse je hamës.
3 Mos i dëshiro gjellët e tij,
se janë bukë e pabesë.
4 Mos u lodh për pasuri,
por hiq dorë me mençuri.
5 Ia hedh sytë, por s’është më,
se vë krahë si shqiponja
e fluturon në qiell.
6 Mos ha bukën e të ligut
e mos i dëshiro gjellët e tij,
7 se ai bën llogari me vete.
Të thotë: «Ha e pi!»,
por me zemër s’është me ty.
8 Kafshatën që ke ngrënë do ta vjellësh
e fjalët e bukura do t’i shkosh dëm.
9 Mos i fol në vesh të marrit,
se do ta përçmojë urtinë e mësimit tënd.
10 Mos e lëviz kufirin e kahershëm
e mos hyr në arën e jetimit,
11 se shpaguesi i tyre është i fortë
e do ta mbrojë çështjen e tyre ndaj teje.
12 Ushtroje zemrën me parimin
e veshët me fjalët e dijes.
13 Mos rri pa e qortuar të riun,
se nuk do të vdesë po t’i biesh me shkop.
14 Bjeri me shkop,
se e shpëton nga skëterra.
15 Biri im, nëse zemra jote do të jetë e urtë,
edhe zemra ime do të ngazëllejë.
16 Do të më gëzohet shpirti,
kur buzët e tua të thonë të drejtën.
17 Të mos i ketë zili zemra jote mëkatarët,
por jeto gjithmonë me drojën e Zotit,
18 se do të kesh të ardhme
e nuk do të të pritet shpresa.
19 Dëgjomë, o biri im, bëhu i urtë,
drejtoje zemrën tënde në udhën e drejtë.
20 Mos u shoqëro me ata që dehen me verë,
me ata që s’ngopen së ngrëni mish,
21 se pijaneci e grykësi do të skamen
e përgjumja do t’i veshë me zhele.
22 Dëgjoje tët atë që të ka lindur,
mos e përçmo nënën në pleqëri.
23 Blije e mos e shit të vërtetën,
urtinë, rregullin e kuptimin.
24 Sa shumë gëzohet ati i të drejtit
e sa lumturohet ai që lind të urtin!
25 Le të lumturohen ati yt e nëna jote,
le të gëzojë ajo që të lindi.
26 Vëmë vesh, biri im,
e le të kënaqen sytë e tu me udhën time.
27 Lavirja është gropë pa fund,
e huaja pus i ngushtë.
28 Ajo rri në pritë si vjedhësi
dhe e shton numrin e burrave tradhtarë.
29 Vaj kush, e mjerë për kë!
Për kë janë zënkat e ankimet?
Për kë janë plagët e kota dhe sytë e lëbyer?
30 Për atë që jepet pas verës,
për ata që shijojnë pije të përziera.
31 Mos e shiko verën si kuqëlon,
si përshkëndit në kupë
e rrjedh lëmuar,
32 se në fund të kafshon si gjarpri
e të pickon si nepërka.
33 Sytë e tu do të shohin çudira
e zemra jote do të thotë prapësi.
34 Do të jesh si ai që fle në mes të detit,
si ai që rri shtrirë majë direkut.
35 «Më kanë goditur, por s’më dhemb,
më kanë rrahur, por s’di gjë.
Po kur të zgjohem? Prapë do të më pihet».