1 Peshorja e rreme i neveritet Zotit,
por peshimi i saktë i pëlqen.
2 Me mendjemadhësinë vjen edhe çnderimi,
urtia është me të përulurit.
3 Të drejtët i udhëheq përsosja e tyre,
mashtruesit i rrënon dredhia e vet.
4 Në ditën e zemërimit s’duhet gjë pasuria,
por drejtësia, ajo çliron nga vdekja.
5 Të përsosurve ua drejton udhën drejtësia e tyre,
por i paudhi bie në paudhësinë e vet.
6 Të drejtët i çliron drejtësia e tyre,
por mashtruesit bien pre e dëshirimit të vet.
7 Kur vdes njeriu i paudhë, i shuhet edhe shpresa,
edhe pritja për t’u kamurë.
8 I drejti çlirohet nga angështia
e i paudhi bie në gjendjen e tij.
9 Me gojën e vet i pafeu e rrënon të afërtin,
por të drejtët çlirohen falë dijes.
10 Qyteti gëzohet kur të drejtët begatohen
dhe brohoret kur marrin fund të paudhët.
11 Me bekimin e të drejtëve lartohet qyteti,
por nga goja e të paudhëve rrënohet.
12 Përçmimi i të afërtit është punë të marrësh,
njeriu i arsyeshëm mban gojën.
13 Shpifësi endet duke treguar të fshehtat,
por një shpirt i besueshëm e mbulon lajmin.
14 Një popull pa udhëheqje rrëzohet,
fitorja arrihet falë këshilltarëve të shumtë.
15 Kush hyn dorëzanë për një të huaj do ta pësojë,
por kush e urren dorëzaninë është i sigurt.
16 Gruaja e hijshme ngjall nderim.
Të dhunshmit përlajnë pasuri.
17 Kush është i njerëzishëm, i bën mirë vetes,
kush është mizor, edhe trupin e vet e sfilit.
18 Kush bën të keqen, merr një pagë të rreme,
por, kush mbjell drejtësinë, me të vërtetë shpërblehet.
19 Drejtësia e vërtetë është jetë,
por, kush ndjek të keqen, gjen vdekjen.
20 Kush është zemërkeq, i neveritet Zotit,
por ai kënaqet me kë sillet drejt.
21 I ligu vërtet nuk do të mbetet i pandëshkuar,
por pasardhësit e të drejtëve do të jetojnë.
22 Si unaza e artë në hundën e një derri,
ashtu është bukuria në gruan e pamend.
23 Të drejtët dëshirojnë vetëm mirësinë,
të paudhët zemëriminf.
24 Dikush jep e pasurohet.
Një tjetër mban gjënë e huaj, por varfërohet.
25 Shpirti bujar do të begatohet,
kush i jep ujë dikujt, edhe atij do t’i jepet.
26 Populli mallkon kë mban për vete grurin,
por bekuar ai që e shet.
27 Kush dëshiron të mirën, gjen përkrahje,
kush gjurmon të keqen, e keqja do ta gjejë.
28 Kush mbështetet në kamjen e vet, do të rrëzohet,
por të drejtët do të çelin si gjethe.
29 Kush trazon shtëpinë e vet, trashëgon erë.
I marri do t’i shërbejë të urtit.
30 Fryti i të drejtit është pemë jete,
i urti i bën për vete njerëzit.
31 Ja, i drejti shpërblehet mbi dhe,
aq më tepër i paudhi e mëkatari.