Mbi dorëzaninë
1 Biri im, nëse ke hyrë dorëzanë për mikun tënd,
nëse ke dhënë dorën për një të huaj,
2 fjalët e gojës sate të kanë zënë në grackë
e je i kapur për fjale.
3 Atëherë, biri im, ja si do të bësh për t’u çliruar,
pasi ke rënë në dorë të mikut tënd:
shko, përulu para tij e prishja qetësinë.
4 Mos vër gjumë në sy,
as mos u jep prehje qepallave të tua.
5 Çlirohu porsi sorkadhja nga laku,
si zogu nga dora e gjahtarit.
Përtaci dhe milingona
6 Shko, o përtac, e shih milingonën,
shiko si vepron ajo e bëhu i urtë.
7 Ajo nuk ka as epror,
as mbikëqyrës, as pronar,
8 por verës bën gati ushqimin e vet
e, kur vijnë të korrat, mbledh hajen e vet.
9 Deri kur, o përtac, do të rrish shtrirë?
Kur do të çohesh nga gjumi?
10 Pak gjumë e pak dremitje,
pak duarkryq për të pushuar,
11 e ashtu vjen skamja, si endacak,
e varfëria si një shqytar.
I marri
12 Njeriu i pavlerë e burri i prapë
endet gojëçartur,
13 picërron sytë, përplas këmbët
e flet me gishta.
14 Në zemër mbart ligësi,
sheston përherë të keqen
e mbjell ndasi.
15 Ndaj befas do e zërë e zeza,
papandehur do të bjerë pa gjetur shërim.
Shtatë neveritë
16 Gjashtë gjëra urren Zoti,
madje shtatë i neveriten:
17 sytë mburravecë, gjuha gënjeshtare,
duart që derdhin gjakun e pafaj,
18 zemra që sheston synime të liga,
këmbët që turren kah e keqja,
19 dëshmitari i rremë që pjell gënjeshtra
e kush mbjell ndasi ndër vëllezër.
Porositë atërore
20 Zbatoje, o biri im, urdhërimin e atit tënd,
e mos e shpërfill mësimin e nënës sate,
21 ngulite përgjithmonë në zemër
e vare rreth qafës,
22 se, kur ecën, të drejton,
kur pushon, të ruan
e kur zgjohesh, të flet.
23 Urdhërimi është llambë e udhëzimi dritë.
Parimet qortuese janë udha e jetës,
24 se të ruajnë nga gruaja e përdalë,
nga fjalët ëmbëlake të gruas së panjohur.
25 Mos të të epet zemra prej bukurisë së saj
e mos bjer pre e qepallave të saj,
26 se gruaja lavire lyp veç një copë bukë,
por gruaja e martuar të merr nderin e jetës.
27 Po burri, a e mban dot zjarrin në gji,
pa i djegur petkat?
28 A ecën njeriu mbi prush
pa iu përcëlluar këmbët?
29 As ai që i qaset gruas së huaj,
që e prek atë, nuk do t’i ikë ndëshkimit.
30 Vjedhësi nuk poshtërohet
po vodhi prej urisë,
për të mbajtur shpirtin gjallë,
31 por po u kap, do të kthejë shtatëfishin
e do të japë krejt pasurinë e shtëpisë.
32 Kush shkel kurorën, është i pamend,
kush bën kështu, shkatërron jetën e vet.
33 Marre e plagë do të mbledhë
e turpi i tij nuk do të shlyhet,
34 se xhelozia e burrit është e tërbuar,
ai s’do të ketë mëshirë në ditën e hakmarrjes.
35 Ai s’pajtohet me asnjë dëmshpërblim,
nuk pranon asnjë mitëmarrje.