Porosi për të ndjekur urtinë
1 Dëgjoni, o bij, mësimin e atit,
kini mendjen, që të njihni zgjuarsinë,
2 se unë ju jap udhëzime të mira;
mos e shpërfillni ligjin tim.
3 Kur për tim atë isha fëmijë
e për time më i butë e i dashur,
4 ai më mësonte e më thoshte:
«Mblidhi fjalët e mia në zemrën tënde,
mbaj urdhërimet e mia e do të jetosh.
5 Rrok urtinë, kap zgjuarsinë,
mos harro fjalët e gojës sime e mos i shmang.
6 Mos e lër urtinë e ajo të ruan,
duaje e ajo të mbron.
7 Fillimi i urtisë: rrok urtinë!
Jep çka ke arritur e kap zgjuarsinë.
8 Vlerësoje e ajo të lartëson,
përqafoje e ajo të nderon.
9 Do të të vërë në kokë një rreth hijeshie,
me kurorë bukurie do të të stolisë».
10 Dëgjo, biri im, e nxëri fjalët e mia,
që të shumohen vitet e jetës sate.
11 Po të tregoj udhën e urtisë,
po të prij shtigjeve të drejtësisë.
12 Nuk do të të ngatërrohen hapat kur të ecësh
e, po të vraposh, nuk do të pengohesh.
13 Ndiq rregullin e mos e lër,
zbatoje, se është jeta jote.
14 Mos i hyr udhës së të paudhëve
e mos ec rrugës së të prapëve.
15 Shmange e mos kalo andej,
dredho e ik tutje,
16 se ata s’flenë pa bërë të keqen,
u ikën gjumi po s’dëmtuan kënd,
17 se ata hanë bukën e prapësisë
dhe pinë verën e dhunës.
18 Udha e të drejtëve është si drita e agimit
që shkon duke shndritur gjer në mesditë.
19 Por udha e të prapëve është si terri i natës,
ata s’e dinë ku venë e pengohen.
20 Biri im, ki mendjen te fjalët e mia,
merr vesh çfarë të kam thënë:
21 mos i hiq sysh,
por ruaji mu në zemër,
22 se janë jetë për kë i gjen
e shërim për tërë trupin e tij.
23 Ruaj zemrën tënde mbi gjithçka,
se jeta prej saj buron.
24 Mos u bëj gojëçartur
e as buzëprapë.
25 Sytë e tu të shohin përballë,
drejt përpara ta kesh shikimin.
26 Kujdesu për udhën ku vë këmbën
e do të jenë të sigurta shtigjet e tua.
27 Mos u luhat as djathtas, as majtas,
shmangu nga e keqja.