Si fitohet urtia
1 Biri im, mos i harro udhëzimet e mia
e mbaj në zemër urdhërimet e mia,
2 se ditë të shumta, vite jete
e paqe do të të japin.
3 Mos të lëntë mirësia, as besnikëria,
ndaj vari rreth qafës
e shkruaji mbi rrasën e zemrës sate,
4 se do të gjesh përkrahje e pëlqim
para Perëndisë e para njerëzve.
5 Beso në Zotin me gjithë zemër
e mos u mbështet në zgjuarsinë tënde.
6 Mendo për të në të gjitha udhët e tua
e ai do të t’i drejtojë shtigjet.
7 Mos të të duket vetja i urtë,
por druaj Zotin e largohu nga e keqja.
8 Kjo do të jetë shërim për trupin tënd
e freskim për eshtrat e tua.
9 Ndero Zotin me tërë begatinë tënde,
me frytet e para të çdo të vjele,
10 se drithnikët e tu do të mbushen plot
e vozat e tua do të pëlcasin nga vera.
11 Biri im, mos e shpërfill mësimin e Zotit
e mos u bezdis nga qortimi i tij,
12 se Zoti e ndreq atë që e do,
porsi një atë birin e dashur.
Gëzimet e të urtit
13 Lum njeriu që e ka gjetur urtinë,
lum ai që ka kapur arsyen,
14 është më e vlefshme se argjendi,
më e dobishme se ari,
15 më e çmueshme se margaritarët,
e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi.
16 Në të djathtë mban jetëgjatësinë,
në të majtë pasurinë e nderin.
17 Udhët e saj janë të këndshme,
tërë shtigjet e saj të paqme.
18 Për kë e rrok atë, ajo është pema e jetës;
lum ai që kapet pas saj.
19 Zoti e themeloi tokën me urti
e me mençuri i nguliti qiejt.
20 Me dijen e tij shpërthyen humnerat
e retë pikuan vesën.
21 Biri im, mos i hiq sysh këto gjëra,
ruaj mençurinë e maturinë,
22 se do të jenë jetë për ty,
stoli rreth qafës sate.
23 Atëherë do të ecësh i sigurt udhës sate
e këmba jote nuk do të pengohet.
24 Kur të biesh në shtrat, s’do të trembesh,
do të biesh e do të bësh gjumë të ëmbël.
25 Mos ki frikë nga tmerri i beftë
a nga shkretimi i të paudhëve, kur të vijë,
26 se Zotin pranë do ta kesh
e do të ta ruajë këmbën nga leqet.
27 Po të jetë në dorën tënde,
mos ia moho të mirën atij që i takon.
28 Po të kesh,
mos i thuaj të afërtit: «Shko e eja nesër, se do të t’jap».
29 Mos kurdis të keqen kundër të afërtit tënd
që me ty banon i qetë.
30 Mos u grind kot me asnjeri
nëse nuk të ka bërë keq.
31 Mos e lakmo njeriun e dhunshëm
e mos ndiq udhët e tij,
32 se Zoti ka neveri për dinakun,
por me të drejtin është i dashur.
33 Në shtëpinë e të paudhit rëndon mallkimi i Zotit,
por ai bekon banesën e të drejtit.
34 Me tallësit ai tallet,
por të përulurit i përkrah.
35 Të urtët do të trashëgojnë nderin,
kurse të marrët turpin.