1 Aleluja.
Është mirë t’i këndojmë himne Perëndisë tonë,
është e këndshme dhe e hijshme ta lavdërojmë.
2 Është Zoti që e ndërton sërish Jerusalemin
dhe të mërguarit e Izraelit i mbledh tok.
3 Ai i shëron zemërthyerit
dhe plagët e tyre i lidh.
4 Numrin e yjeve ai e njeh,
i thërret të gjithë me emër.
5 I madh është Zoti ynë,
e madhe fuqia e tij,
e pakufishme mençuria e tij.
6 Zoti i lartëson të mjerët,
ndërsa të paudhët i rrëzon përdhe.
7 Këndojini Zotit me falënderim,
këndojini himne me harpë Perëndisë tonë!
8 Ai e mbulon qiellin me re,
ai i përgatit shiun tokës,
ai bën të mbijë bari maleve.
9 Ai ua jep ushqimin bagëtive
dhe zogjve të korbit, kur krakëllijnë.
10 Fuqinë e kalit nuk e vlerëson
e as kënaqet me pulpat e trimit.
11 Zotit i pëlqejnë ata që e druajnë,
ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
12 Përlëvdoje Zotin, o Jerusalem,
lavdëroje Perëndinë tënd, o Sion!
13 Se shulat e portave të tua i forcoi,
bijtë e tu i bekoi në gjirin tënd.
14 Ai i ruan trojet e tua në paqe,
ai të ngin me grurin më të mirë.
15 Urdhër ai dërgon mbi tokë,
fjala e tij përhapet me shpejtësi.
16 Borën e hedh porsi lesh,
brymën e derdh porsi hi.
17 Breshrin e lëshon si thërrime,
kush i bën ballë të ftohtit të tij?
18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin,
lëshon erën dhe ujërat rrjedhin.
19 Fjalën e tij ia kumton Jakobit,
rregullat dhe vendimet e tij, Izraelit.
20 Nuk veproi kështu me asnjë komb
dhe vendimet e tij ata nuk i njohin.
Aleluja!