Psalmet 145

Psalm lavdërimi, i Davidit.

Alef

Do të të lartësoj, o Perëndi, Mbreti im,

do ta bekoj emrin tënd përjetë e në amshim.

Bet

Çdo ditë do të të bekoj,

emrin tënd do ta lavdëroj përjetë e në amshim.

Gimel

I madh është Zoti e fort i lavdërueshëm,

madhështia e tij e pashqyrtueshme.

Dalet

Breznia breznisë do t’ia lëvdojë veprat e tua,

do t’i shpallë mrekullitë e tua.

He

Shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate

dhe veprat e tua të mrekullueshme do të përsiatë.

Vau

Do të flasin për fuqinë e bëmave të tua,

e unë, do të kumtoj madhështinë tënde.

Zain

Do të përhapin kujtimin e mirësisë sate të madhe,

do të brohorasin për drejtësinë tënde.

Het

I mëshirshëm e i dhembshur është Zoti,

i ngadaltë në zemërim e plot mirësi.

Tet

I mirë është Zoti me të gjithë,

i dhembshur me gjithë krijesat e tij.

Jod

10 Gjithë veprat e tua do të të përlëvdojnë, o Zot,

besnikët e tu do të të bekojnë.

Kaf

11 Do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate,

do të rrëfejnë për fuqinë tënde.

Lamed

12 Do t’u shpallin bijve të njerëzve bëmat e tua

dhe lavdinë e madhështisë së mbretërisë sate.

Mem

13 Mbretëria jote është mbretëri e amshuar,

pushteti yt është brez pas brezi.

Samek

14 Zoti i përkrah tërë ata që pengohen

e i ngre tërë të kërrusurit.

Ain

15 Të gjithë i kanë sytë nga ti e presin,

që t’u japësh ushqimin në kohën e duhur.

Pe

16 Ti e hap dorën

dhe çdo qenieje të gjallë ia plotëson dëshirën.

Cade

17 I drejtë është Zoti në gjithë udhët e tij,

besnik në të gjitha veprat e tij.

Kof

18 Zoti është pranë të gjithë atyre që e thërrasin,

të gjithë atyre që e thërrasin me çiltërsi.

Resh

19 Ua plotëson dëshirën atyre që e druajnë,

ua dëgjon përgjërimin e i shpëton.

Sin

20 Zoti i mbron të gjithë ata që e duan,

ndërsa tërë të paudhët do t’i shkatërrojë.

Tau

21 Goja ime do të shpallë lavdërim për Zotin,

çdo gjallesë do të bekojë emrin e tij të shenjtë,

përjetë e në amshim.