1 Psalm i Davidit.
O Zot, dëgjoje lutjen time,
vëri vesh përgjërimit tim, ti që je besnik,
përgjigjmu, ti që je i drejtë.
2 Mos bëj gjyq me shërbëtorin tënd,
se asnjë i gjallë nuk del i drejtë para teje.
3 Po më ndjek pas armiku,
jetën ma ka hedhur përdhe.
Më ka dëbuar në skuta të errëta,
porsi të vdekurit e kahershëm.
4 Ndaj po më zihet fryma,
përbrenda po më dridhet zemra.
5 Më kujtohen ditët e qëmoçme,
mendoj për gjithë veprat e tua,
sjell ndër mend punët e duarve të tua.
6 I kam shtrirë duart drejt teje,
shpirti im ka etje për ty, si toka e thatë. selah
7 Përgjigjmu shpejt, o Zot,
se mbeta pa frymë.
Mos e fshih fytyrën prej meje,
që të mos bëhem si ata që zbresin në varr.
8 Shpallmë mirësinë tënde që në mëngjes,
se te ti kam besim.
Tregomë udhën ku duhet të eci,
se drejt teje e lartësoj shpirtin tim.
9 Shpëtomë nga armiqtë e mi, o Zot,
se te ti kam kërkuar strehë.
10 Mësomë të bëj vullnetin tënd,
se ti je Perëndia im.
Shpirti yt i mirë do të më prijë në vend të sheshtë.
11 Jepmë sërish jetë, o Zot, për hir të emrit tënd,
nxirrmë nga hidhërimi, ti që je i drejtë.
12 Shfarosi armiqtë e mi, ti që je i mirë,
shkatërroji të gjithë kundërshtarët e mi,
se unë jam shërbëtori yt.