1 Brigjeve të lumenjve të Babilonisë,
atje uleshim e qanim, Sionin tek kujtonim.
2 Nëpër shelgje në mes të saj,
aty i varëm qestet tona.
3 Atje robëruesit na kërkuan këngë,
shtypësit këngë hareje:
«Na këndoni këngët e Sionit».
4 Por si t’i këndojmë këngët e Zotit
në dhe të huaj?
5 M’u thaftë dora e djathtë,
në të harrofsha, o Jerusalem.
6 M’u kaptë gjuha pas qiellze,
në mos të kujtofsha më, o Jerusalem,
në mos të mbajtsha si gëzimin më të madh.
7 Mbaji mend, o Zot, bijtë e Edomit,
ata që ditën e zezë të Jerusalemit thoshin:
«Rrënojeni, me themele rrënojeni!».
8 Dhe ti, o bijë e Babilonisë,
ke për t’u shkatërruar,
ndaj lum kush do të marrë shpagim
për ato që na ke bërë.
9 Lum ai që do t’i kapë foshnjat e tua
e do t’i përplasë pas shkëmbit.