Dalja 5

Moisiu e Aroni para faraonit

Pastaj Moisiu e Aroni shkuan e i thanë faraonit: «Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: “Lëre popullin tim të shkojë që të më kremtojë një festë në shkretëtirë”». Por faraoni u tha: «Kush është Zoti që t’ia dëgjoj fjalën dhe ta lë Izraelin të shkojë. As Zotin nuk e njoh, as Izraelin nuk do ta lë të shkojë!». Ata i thanë: «Perëndia i hebrenjve na u dëftua. Na lër të shkojmë për tri ditë në shkretëtirë, që t’i kushtojmë fli Zotit, Perëndisë tonë, e ai të mos na godasë me murtajë e shpatë». Atëherë mbreti i Egjiptit u tha: «Moisi, Aron, përse po e nxisni popullin t’i shmanget punës? Kthehuni në punë!». Faraoni shtoi: «Tani që populli i vendit është shtuar shumë, ju prapë doni që të ndërpresë punën?». Po atë ditë faraoni u dha këtë urdhër mbikëqyrësve dhe kryepunëtorëve të popullit: «Mos i jepni më popullit kashtë sikurse bëhej më parë. Ta mbledhin vetë kashtën, por numri i tullave që do t’u kërkoni të jetë si më parë. Mos ua pakësoni numrin, sepse janë përtacë dhe prandaj thërrasin: “Na lër të shkojmë e t’i kushtojmë fli Perëndisë tonë”. T’u vështirësohet puna që të punojnë e të mos merren me fjalë të kota!».

10 Mbikëqyrësit dhe kryepunëtorët dolën e i thanë popullit: «Kështu thotë faraoni: “Nuk do t’ju jap më kashtë! 11 Kashtën do ta mblidhni vetë kudo që të jetë dhe puna nuk do t’ju ulet aspak”». 12 Populli u shpërnda në gjithë tokën e Egjiptit për të mbledhur byk për kashtë. 13 Mbikëqyrësit i detyronin të bënin përditë po aq punë sa bënin kur kishin kashtë. 14 Kryepunëtorët izraelitë që ishin caktuar nga mbikëqyrësit e faraonit u rrahën. Atyre u thuhej: «Përse nuk keni plotësuar as dje e as sot të njëjtin numër tullash që bënit më parë?».

15 Atëherë kryepunëtorët izraelitë shkuan te faraoni dhe iu ankuan: «Përse po sillesh kështu me shërbëtorët e tu? 16 Shërbëtorëve të tu nuk u është dhënë kashtë dhe prapë na thuhet të bëjmë tulla. Shërbëtorët e tu i rrahin, por fajin e kanë njerëzit e tu». 17 Faraoni u tha: «Jeni përtacë, shumë përtacë, prandaj dhe thoni: “Na lër të shkojmë e t’i kushtojmë fli Zotit”. 18 Tani ikni e punoni se kashtë nuk do t’ju jepet, por do të bëni të njëjtin numër tullash». 19 Kryepunëtorët izraelitë panë se e kishin punën keq kur dëgjuan se nuk do të ulej numri i tullave që bënin përditë. 20 Kur dolën nga faraoni takuan Moisiun e Aronin që po i prisnin. 21 Atëherë kryepunëtorët u thanë: «Zoti ju paftë e gjykoftë, se na fëlliqët para faraonit e shërbëtorëve të tij dhe u dhatë shkasb që të na vrasin».

22 Moisiu iu drejtua Zotit e i tha: «Imzot, përse e mundon këtë popull? Për këtë më dërgove? 23 Që kur erdha për t’i folur faraonit në emrin tënd, ai e ka munduar popullin tënd dhe ti nuk e ke shpëtuar!».


 b5.21 he. shpatë në dorë