Psalmet 118

Përlëvdoni Zotin, se është i mirë,

se mirësia e tij mbetet përjetë.

Le të thotë Izraeli

se mirësia e tij mbetet përjetë.

Le të thotë shtëpia e Aronit

se mirësia e tij mbetet përjetë.

Le të thonë ata që druajnë Zotin

se mirësia e tij mbetet përjetë.

Kur isha në fatkeqësi i thirra Zotit

Zoti më dëgjoi e më lehtësoi.

Zoti është me mua,

nuk kam frikë nga asgjë.

Çfarë do të më bëjë njeriu?

Për ndihmë kam Zotin,

ndaj do t’i shpërfill ata që më urrejnë.

Më mirë të kërkosh strehë te Zoti,

sesa të kesh besim te njerëzit.

Më mirë të kërkosh strehë te Zoti,

sesa të kesh besim te prijësit.

10 Të gjitha kombet më rrethuan,

por i zmbrapsa me emrin e Zotit.

11 Më kishin rrethuar nga çdo anë,

por i zmbrapsa me emrin e Zotit.

12 Më kishin rrethuar si bletët,

por u shfarosën si ferrat nga flaka,

se i zmbrapsa me emrin e Zotit.

13 Më shtynë fort për të më rrëzuar,

por më ndihmoi Zoti.

14 Fuqia e forcan ime është Zoti,

ai u bë shpëtimtari im.

15 Britma gëzimi e shpëtimi

jehojnë në tendat e të drejtëve:

«E djathta e Zotit bën çudira!

16 E djathta e Zotit u lartësua!

E djathta e Zotit bën çudira!».

17 S’kam për të vdekur, do të rroj

dhe veprat e Zotit do t’i tregoj.

18 Zoti më mundoi shumë,

por në duart e vdekjes nuk më la.

19 Më hapni portat e drejtësisë,

që të hyj e të përlëvdoj Zotin.

20 Ja ku është porta e Zotit,

nëpër të do të hyjnë të drejtët.

21 Do të të përlëvdoj, se më dëgjove

e shpëtimtari im u bëre.

22 Guri që ndërtuesit e hodhën tej,

u bë guri i qoshes.

23 Prej Zotit u bë kjo

dhe është e mrekullueshme për sytë tanë.

24 Kjo është dita që e bëri Zoti,

le të ngazëllejmë e të gëzojmë në të!

25 Zot, shpëtona!

Zot, jepna mbarësi!

26 Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!

Ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

27 Perëndi është Zoti dhe ai na ndriçoi.

Radhituni për festë, me degë në duar,

deri te brirët e altarit.

28 Ti je Perëndia im, ty të përlëvdoj,

ti je Perëndia im, ty të madhëroj.

29 Përlëvdoni Zotin, se është i mirë,

se mirësia e tij mbetet përjetë.


 n118.14 ose: kënga