Psalmet 105

Përlëvdoni Zotin, thirreni emrin e tij,

shpallni mes popujve veprat e tij.

Këndojini atij e thurini lavde,

kumtoni gjithë mrekullitë e tij.

Krenohuni me emrin e tij të shenjtë,

u gëzoftë zemra e atyre që kërkojnë Zotin.

Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,

kërkojeni përherë fytyrën e tij.

Kujtoni mrekullitë që bëri,

çuditë dhe gjykimet e gojës së tij,

o pasardhës të Abrahamit, shërbëtorit të tij,

o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij.

Ai është Zoti, Perëndia ynë;

mbi mbarë dheun vendimet e tij.

Ai e kujton përherë besëlidhjen e tij,

fjalën që urdhëroi për një mijë brezni,

besëlidhjen që bëri me Abrahamin,

premtimin që i dha Isakut.

10 Ia caktoi si rregull Jakobit,

Izraelit si besëlidhje përjetë,

11 kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit

si pjesë të trashëgimisë suaj»,

12 kur ishin të hequr në numër,

të paktë e ardhacakë,

13 tek endeshin nga një komb te tjetri,

nga një mbretëri te një tjetër popull.

14 Nuk lejoi t’i shtypte askush,

mbretërit për hir të tyre qortoi:

15 «Mos m’i prekni të vajosurit,

profetët e mi mos i lëndoni».

16 Urinë solli në atë vend,

theu çdo enë buke.

17 Dërgoi para tyre një njeri,

Jozefin, që u shit si skllav.

18 Me pranga ia shtrënguan këmbët,

hekura i vunë rreth qafës,

19 derisa u përmbush fjala e tij,

fjala e Zotit e sprovoi atë.

20 I dërgoi fjalë mbreti që ta lironin,

sunduesi i popujve e la të lirë.

21 Zot të shtëpisë së tij e bëri,

sundues mbi gjithë zotërimin e tij,

22 që t’i ndreqte princat sipas gjykimit të tij

e t’u mësonte pleqve urtinë.

23 Atëherë Izraeli shkoi në Egjipt,

Jakobi u vendos në tokën e Kamit.

24 Dhe Zoti e shtoi shumë popullin e vet,

më të fortë se armiqtë e tij e bëri.

25 Ua ndryshoi zemrën egjiptianëve,

që popullin e tij ta urrenin,

që kundër shërbëtorëve të tij

me dredhi të silleshin.

26 Dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij,

Aronin, që vetë e kishte zgjedhur.

27 Kryen mes tyre shenjat e tij,

mrekullitë në tokën e Kamit.

28 Dërgoi errësirën e u bë terr,

fjalët e tij nuk i kundërshtoi kushl.

29 Ujërat ua ktheu në gjak,

peshqit i ngordhi.

30 Vendi i tyre gëloi me bretkosa,

deri edhe në dhomat e mbretërve.

31 Foli Zoti e u vërsulën mori mizash,

mushkonjat mbarë trojet mbuluan.

32 U dërgoi breshër në vend të shiut,

flakë zjarri mbi vendin e tyre.

33 Ua goditi vreshtat e fiqtë,

pemët e tokave të tyre i theu.

34 Foli dhe ia behën karkalecat,

vemje, që s’kishin të numëruar.

35 Ua hëngrën gjithë bimësinë e vendit,

prodhimet e tokës ua përpinë.

36 Goditi gjithë të parëlindurit e vendit,

frytin e parë të pjellorisë së tyre.

37 I nxori izraelitët me argjend e me ar,

ndër fiset e tyre s’kish njeri të këputur.

38 U gëzua Egjipti kur ata u nisën,

se i kishte zënë tmerri prej tyre.

39 Renë shtriu për t’i mbuluar,

zjarrin për t’u bërë dritë natën.

40 Kërkuan e shkurta u dërgoi,

me bukë prej qiellit i ngiu.

41 Çau shkëmbin e buruan ujëra,

lumenj rrodhën nëpër shkretëtirë.

42 I ra ndër mend fjala e tij e shenjtë,

që Abrahamit, shërbëtorit të tij, i kishte thënë.

43 Popullin e vet e nxori me ngazëllim,

plot gëzim të zgjedhurit e tij.

44 Tokat e kombeve u dha,

mundin e popujve trashëguan,

45 që të mbajnë rregullat e tij

e të zbatojnë ligjet e tij.

Aleluja!


 l105.28 ose: por ata i kundërshtuan fjalët e tij