Psalmet 104

Bekoje Zotin, o shpirti im!

Zot, Perëndia im, sa i madhërishëm je!

Je veshur me shkëlqim e lavdi,

dhe mbështillesh me dritën si me rrobë.

Qiellin e shtrin porsi tendë,

banesat e tua të larta mbi ujëra i ndërton,

retë i bën si karrocë për vete

dhe ecën mbi krahët e erës.

Erërat i bën lajmëtarë të tu,

flakët e zjarrit shërbestarë të tu.

Tokën e vendose mbi themelet e saj,

nuk do të lëkundet kurrë.

E mbulove me humnerë si me rrobë,

ujërat qëndruan mbi male.

Prej qortimit tënd ikin,

prej zërit të gjëmimit tënd marrin arratinë.

Ngjiten maleve, zbresin fushave,k

drejt vendit që u caktove.

U vure kufi që të mos e kapërcejnë

e të mos kthehen për të mbuluar tokën.

10 Ti i dërgon burimet ndër përrenj,

mes maleve ato rrjedhin.

11 U japin ujë gjithë kafshëve të fushës,

gomarëve të egër u shuajnë etjen.

12 Pranë tyre banojnë zogjtë e qiellit,

mes degëve dëgjohet kënga e tyre.

13 Prej banesave të tua të larta u jep ujë maleve,

toka ngopet me frytet e duarve të tua.

14 Ti rrit barin për bagëtinë

e bimët në dobi të njeriut,

që të nxjerrë ushqimin nga toka,

15 verën që gëzon zemrën e njeriut,

vajin që i ndriçon fytyrën

e bukën që i forcon zemrën.

16 Ngihen drurët e Zotit,

cedrat e Libanit që ai mbolli.

17 Atje bëjnë fole zogjtë,

bredhat janë banesa e shtërgut.

18 Malet e larta janë për dhitë e egra,

shkrepat strehë për vjedullat.

19 Bëre hënën për të shënuar stinët

dhe dielli e di kur të perëndojë.

20 Hedh errësirën e bëhet natë,

nëpër të enden gjithë egërsirat e pyllit.

21 Këlyshët e luanëve ulërijnë për gjah,

nga Perëndia kërkojnë ushqim.

22 Kur lind dielli, mblidhen

e shtrihen nëpër strofkat e tyre.

23 Njeriu del për punë

e lodhet deri në mbrëmje.

24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot!

Të gjitha i ke bërë me urti!

Toka është plot me krijesat e tua.

25 Ja deti i madh e i gjerë!

Atje ka zvarranikë të panumërt,

gjallesa të vogla e të mëdha.

26 Atje lundrojnë anije,

Leviatani që krijove për të luajtur në të.

27 Të gjitha presin prej teje

ushqimin në kohën e duhur.

28 Ti u jep, ato mbledhin,

ti hap dorën, ato ngihen me të mira.

29 Ti fsheh fytyrën, ato tmerrohen,

ua heq frymën, ato ngordhin

e kthehen përsëri në pluhur.

30 Ti dërgon frymën tënde, ato krijohen,

ti përtërin faqen e tokës.

31 Lavdia e Zotit qëndroftë përjetë!

U gëzoftë Zoti për veprat e tij!

32 Ai hedh sytë mbi tokë e ajo dridhet,

prek malet e nxjerrin tym.

33 Do t’i këndoj Zotit gjithë jetën time,

do ta përhimnoj Perëndinë tim sa të jem gjallë.

34 I pëlqeftë kënga ime

e unë do të ngazëllej në Zotin.

35 U zhdukshin mëkatarët nga toka,

të paudhët mos qofshin më.

Bekoje Zotin, o shpirti im!

Aleluja!


 k104.8 të tjerë: dolën malet dhe luginat u ulën