1 Psalm i Asafit.
Trashëgiminë tënde e kanë pushtuar kombet, o Perëndi,
tempullin tënd të shenjtë e kanë përdhosur,
Jerusalemin në gërmadhë e kanë kthyer.
2 Kufomat e shërbëtorëve të tu
ua dhanë për ushqim shpendëve të qiellit,
mishin e besnikëve të tu egërsirave të tokës.
3 Gjakun e tyre e derdhën si ujë përreth Jerusalemit
e nuk kishte kush t’i varroste.
4 Jemi bërë tallje për fqinjët tanë,
përqeshje e lojë për ata që na rrethojnë.
5 Deri kur, o Zot? Përjetë do të jesh i zemëruar?
A do të ndizet si zjarr furia jote?
6 Derdhe zemërimin tënd mbi kombe që s’të njohin,
mbi mbretëri që nuk thërrasin emrin tënd.
7 Se e kanë gllabëruar Jakobin,
banesën e tij e kanë shkretuar.
8 Mos na i kujto paudhësitë e së shkuarës,
por ardhtë sa më shpejt mëshira jote,
se kemi rënë shumë poshtë.
9 Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit tonë,
për lavdinë e emrit tënd,
na çliro e na i fal mëkatet,
për hir të emrit tënd.
10 Përse të thonë kombet:
«Ku është Perëndia i tyre?».
Le ta marrin, pra, vesh kombet
e ne me sytë tanë le ta shohim,
hakmarrjen për gjakun e derdhur
të shërbëtorëve të tu.
11 Ardhtë para teje gjëma e të robëruarve,
me fuqinë e krahut tënd
shpëto të dënuarit me vdekje.
12 Shpërblejua shtatëfish fqinjëve tanë mbi kurriz
poshtërimin që të bënë ty, o Zot.
13 E ne populli yt, delet e kullotës sate,
do të të përlëvdojmë në amshim
e brez pas brezi do të shpallim lavdinë tënde.