Psalmet 74

Himn i Asafit.

Përse na hodhe poshtë përgjithnjë, o Perëndi?

Përse vlon zemërimi yt kundër deleve të kullotës sate?

Kujto bashkësinë tënde që nga kohët e lashta fitove,

fisin, që shpëtove dhe trashëgiminë tënde e bëre,

malin e Sionit, ku banesën vure.

Drejtoji hapat e tu drejt këtyre rrënojave të përhershme,

armiku shkatërroi gjithçka në shenjtërore.

Armiqtë e tu ulërijnë në vendin tënd të shenjtë,

kanë ngritur emblemat e tyre.

Na u dukën si ata që vërvitin sëpatat

brenda në pyllin e dendur.

E tani me sëpata e me sakica

po ia thyejnë të gjitha gdhendjet.

I vunë zjarrin shenjtërores sate,

e rrafshuan, e përdhosën banesën e emrit tënd.

E thanë me vete: «T’i shfarosim të gjithë!».

I dogjën të gjitha vendet e shenjta të Perëndisë në këtë tokë.

Nuk i shohim më emblemat tona,

as profet nuk ka më,

e askush nga ne nuk e di

edhe sa kohë do të zgjatë.

10 Deri kur, o Perëndi, do të të poshtërojë armiku?

Përgjithmonë do ta përbuzë kundërshtari emrin tënd?

11 Përse e ke tërhequr dorën tënde?

Të djathtën tënde përse e mban në gji?gj

12 O Perëndi, ti je mbreti im që në lashtësi,

ai që sjell shpëtimin mbi tokë.

13 Me fuqinë tënde e ndave detin,

përbindëshave të ujit u thërrmove kokën.

14 Ti ia shtype kokën Leviatanit,

ia dhe për ushqim popullit të shkretëtirës.

15 Ti bëre të gëlojnë burime e përrenj,

ti thave lumenj të pashtershëm.

16 Jotja është dita, jotja edhe nata,

ti e krijove ndriçuesin dhe diellin.

17 Ti i caktove tërë kufijtë tokës,

ti e përftove verën edhe dimrin.

18 Kujtohu, o Zot, se armiku të ka poshtëruar,

se një popull i marrë ka përbuzur emrin tënd.

19 Mos ua jep bishave shpirtin e turtulleshës sate,

mos e harro kurrë jetën e skamnorëve të tu.

20 Përfille besëlidhjen tënde,

se vendet e errëta të tokës

janë mbushur me strofka dhune.

21 I shtypuri mos u ktheftë i poshtëruar,

skamnori e nevojtari përlëvdofshin emrin tënd.

22 Ngrihu, o Perëndi, mbroje çështjen tënde,

kujto poshtërimet që të bën i marri tërë ditën!

23 Mos e harro britmën e armiqve të tu,

ulërimën e kundërshtarëve të tu,

që ngjitet lart pa pushim.


 gj74.11 të tjerë: Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji