1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit.
2 A flisni vërtet me drejtësi, o të fuqishëm?
A i gjykoni drejt bijtë e njerëzve?
3 Ja, në zemër ju bluani padrejtësi,
duart tuaja gatisin dhunë mbi tokë.
4 Të paudhët dalin nga udha që në ngjizje,
gënjeshtarët mashtrojnë që në bark të nënës.
5 Helmi i tyre është si helmi i gjarprit,
janë si nepërka e shurdhët, që mbyll veshët,
6 për të mos e dëgjuar zërin e shortarit,
të atij që magjeps me mjeshtëri.
7 O Perëndi, thyejua dhëmballët në gojë,
o Zot, copëtojua dhëmbët luanëve!
8 U derdhshin si ujërat që rrjedhin!
Kur të marrin shenjë,
shigjetat e tyre u dërrmofshinzh.
9 U bëfshin si kërmilli që tretet e shkon,
si i dështuari prej gruas, diellin mos e pafshin.
10 Para se enët tuaja të ndiejnë flakën e ferrishtave,
i përpiftë vorbulla, të njoma e të thata.
11 Do të gëzojë i drejti, kur të shohë hakmarrjen,
këmbët do t’i lajë në gjakun e të paudhëve.
12 E njerëzia do të thonë:
«Paska vërtet shpërblim për të drejtin!
Paska Perëndi, që gjykon mbi tokë».