Psalmet 40

Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.

Me durim e prita Zotin,

ai u përkul drejt meje

e përgjërimin ma dëgjoi.

Prej gropës së mundimit më nxori,

prej batakut të baltës,

këmbët m’i vuri mbi shkëmb

e hapat m’i forcoi.

Një këngë të re më vuri në gojë,

një himn për Perëndinë tonë.

Shumë do ta shohin e do të dridhen

dhe në Zotin do të besojnë.

Lum njeriu që ka besim te Zoti,

që nuk kthehet drejt atyre që mburren

e drejt atyre që jepen pas gënjeshtrës.

Të shumta janë veprat e tua të mrekullueshme,

Zot, Perëndia im,

të shumta shestimet e tua për ne.

Nuk ka të ngjashëm me ty!

Do t’i shpallja e do t’i tregoja,

por janë të panumërueshme.

Ti nuk dëshiron fli e kushtime,

për këtë m’i ke hapur mirë veshët,

nuk kërkove as fli shkrumbimi a mëkati.

Atëherë thashë: «Ja tek kam ardhur.

Në rrotullën e librit është shkruar për mua.

Të kryej vullnetin tënd, o Perëndia im, dëshiroj,

ligji yt është brenda qenies sime».

10 Drejtësinë tënde shpalla në kuvendin e madh,

ja, buzët nuk i mbylla

dhe ti, o Zot, e di.

11 Drejtësinë tënde nuk e fsheha brenda zemrës sime,

për besnikërinë e për shpëtimin tënd fola,

mirësinë tënde nuk e mbajta fshehur,

e as besnikërinë tënde në kuvendin e madh.

12 E ti, o Zot, mos m’i moho përdëllimet e tua,

mirësia dhe besnikëria jote më mbrojtshin përherë.

13 Të këqija të panumërta më kanë rrethuar,

paudhësitë më kanë vënë poshtë

e nuk më lënë të shoh.

Janë bërë më të shumta se flokët e kokës

e zemra po më lëshon.

14 Denjo, o Zot, të më shpëtosh!

Shpejto, o Zot, të më ndihmosh!

15 U turpërofshin e u çnderofshin

të gjithë ata që jetën duan të ma marrin,

u zmbrapsshin e u poshtërofshin

ata që më duan të keqen.

16 U tmerrofshin të turpëruar

ata që për mua thonë: «Mirë t’i bëhet!».

17 Të gjithë ata që të kërkojnë

gëzofshin e ngazëllefshin me ty,

ata që duan shpëtimin prej teje

thënçin përherë: «I madh është Zoti!».

18 Unë jam i mjerë e nevojtar,

por për mua kujdeset Zoti.

Ti je ndihma dhe shpëtimtari im,

o Perëndia im, mos vono.