1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
2 Te ti, o Zot, kërkova strehë,
mos lejo të turpërohem asnjëherë,
sipas drejtësisë sate çliromë!
3 Prire veshin drejt meje,
nxito të më çlirosh,
bëhu për mua shkëmbi,
ku gjej strehim,
fortesa e shpëtimit tim.
4 Ti je shkëmbi dhe fortesa ime,
për hir të emrit tënd primë e hiqmë udhën.
5 Më nxirr nga laku, që fshehtas më kanë ngritur,
sepse ti je streha ime.
6 Në duart e tua e lë shpirtin tim,
shpengomë, o Zot, Perëndi besnik.
7 I urrej ata që jepen pas idhujve të kotë,
por unë shpresën e kam te Zoti.
8 Për mirësinë tënde gëzoj e ngazëllej,
se ti e pe pikëllimin tim
dhe e njohe mjerimin e shpirtit tim.
9 Nuk më le të bie në dorë të armiqve,
këmbët m’i vure në vend të gjerë.
10 Mëshiromë, o Zot, se jam ngushtë,
nga brenga po më treten sytë, shpirti e trupi.
11 Jeta po më mpaket në hidhërim
e vitet po kalojnë mes lëngatash,
më kanë lënë fuqitë prej paudhësisë
e kockat po më treten.
12 Jam bërë tallje për të gjithë armiqtë
e shumë më tepër për fqinjët.
Jam kthyer në tmerr për të njohurit
e sa më shohin rrugës, ikin.
13 Më kanë harruar fare,
si të isha i vdekur,
jam bërë porsi enë e thyer.
14 Shpifjet e shumë njerëzve i dëgjova,
tmerr nga të gjitha anët,
janë bërë bashkë kundër meje,
po kurdisin jetën të ma marrin.
15 Por unë shpresoj te ti, o Zot,
e them: «Ti je Perëndia im!».
16 Në duart e tua janë motet e mia,
shpëtomë nga dora e armiqve të mi
e prej atyre që më përndjekin.
17 Shndrittë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd,
sipas mirësisë sate shpëtomë.
18 Mos më turpëro, o Zot,
se ty të kam thirrur.
U turpërofshin të paudhët
e në skëterrë gojën mbyllshin.
19 U mbyllshin buzët gënjeshtare,
që kundër të drejtit tërë krenari flasin,
tërë mburrje e përbuzje.
20 Sa e madhe është mirësia jote, o Zot,
që ti e ruan për ata që të druajnë.
Ua jep atyre që kërkojnë strehë te ti,
në sytë e mbarë bijve të njerëzve.
21 Nën strehën e pranisë sate i fsheh,
larg kurtheve të njerëzve,
nën banesën tënde i strehon,
larg gjuhëve ngatërrestare.
22 Bekuar qoftë Zoti,
se brenda qytetit të rrethuar
me mrekullinë e mirësisë së tij më mbuloi.
23 E unë, në hutimin tim, thosha:
«Jam dëbuar larg syve të tu».
Veçse, ti e dëgjove përgjërimin tim,
kur unë ty të thirra.
24 Duajeni Zotin, të gjithë ju besnikët e tij!
Zoti i mbron besimtarët e tij
dhe shpaguan plotësisht kë vepron me krenari.
25 Jini të fortë e merrni zemër,
të gjithë ju që Zotin pritni.