1 Mjeshtrit të korit. Për fyell. Psalm i Davidit.
2 Dëgjoji, o Zot, fjalët e mia,
përfille rënkimin tim.
3 Thirrjes sime për ndihmë vëri vesh,
o mbreti im e Perëndia im,
se ty ta drejtoj lutjen time.
4 Në mëngjes, o Zot, ti e dëgjon zërin tim,
në mëngjes, kur përgatitem për ty e pres.
5 Ti nuk je Perëndi që i pëlqen e keqja,
pranë teje nuk ka vend ligësia,
6 as krenarët nuk të dalin dot para.
Ti i urren të gjithë ata që bëjnë paudhësi,
7 ata që thonë gënjeshtra i shkatërron
dhe gjakatarët e mashtruesit të neveriten.
8 Por unë do të hyj në shtëpinë tënde
falë mirësisë sate të madhe
e do të përkulem me nderimd
në tempullin tënd të shenjtë.
9 Udhëhiqmë, o Zot, me drejtësinë tënde,
meqë kam armiq,
rrafshoje para meje udhën tënde.
10 Në gojën e tyre nuk ka asgjë të vërtetë,
përbrenda janë të rrënuar,
grykën e kanë si varr të hapur,
e me gjuhë thurin lajka.
11 Ndëshkoji, o Perëndi,
nga qëllimet e tyre u shkatërrofshin,
dëboji për paudhësitë e tyre të shumta,
se kanë ngritur krye kundër teje.
12 Por, ata që kërkojnë strehë te ti le të gëzojnë
e përherë të brohorasin.
Paçin mbrojtjen tënde
e u ngazëllefshin për ty ata që duan emrin tënd.
13 Se ti, o Zot, e bekon të drejtin
dhe e mbështjell me mirëdashjen tënde si me mburojë.