Psalmet 3

Psalm i Davidit, kur u arratis prej Absalomit, të birit.

Zot, sa të shumtë janë kundërshtarët e mi!

Sa janë shtuar ata që ngrihen kundër meje!

Shumë thonë për mua:

«Nuk ka shpëtim për të nga Perëndia». selah ç

Por ti, o Zot, je mburoja ime,

je ai që më jep nder

e kokën lart ma ngre.

I thërras Zotit me zërin tim

e më përgjigjet nga mali i tij i shenjtë. selah

Bie e fle e sërish zgjohem,

sepse Zotin kam përkrah.

Nuk kam frikë nga turma e njerëzve

që më kanë rrethuar e janë kundër meje.

Ngrihu, o Zot,

shpëtomë, o Perëndia im,

se ti ua thyen nofullat armiqve të mi

e të paudhëve ua dërrmon dhëmbët.

Shpëtimi vjen nga Zoti;

bekimi yt qoftë mbi popullin tënd! selah


 ç3.3 Fjala hebraisht Selah mund të ketë qenë një udhëzim për melodinë apo për përdorim liturkgjik