1 Lum njeriu që nuk ndjek këshillën e të paudhëve
dhe udhës së mëkatarëve nuk qëndron,
që nuk rri me përqeshësit,
2 por kënaqet me ligjin e Zotit
dhe ditë e natë për atë ligj mendon.
3 Ai është si pemë e mbjellë buzë rrjedhës së ujërave,
që frytin e jep në stinën e vet
e gjethja nuk i vyshket.
Atij i shkon mbarë gjithçka bën.
4 Por nuk ndodh kështu me të paudhët.
Ata janë si byku që merr era.
5 Të paudhët nuk do t’i bëjnë ballë gjykimit,
as mëkatarët kuvendit të të drejtëve.
6 Zoti e njeh mirë udhën e të drejtëve,
ndërsa udha e të paudhëve do të marrë fund.