1 «A e di ti kur pjellin dhitë e malit?
A i ke vrojtuar drenushat kur lindin?
2 Ua ke njehur vallë plotësimin e muajve?
Ua di vallë kohën e pjelljes,
3 kur shtrihen e lindin të vegjlit
dhe nxjerrin në dritë frytin e dhimbjes?
4 Mëkëmben këlyshët e tyre e rriten përjashta,
ikin e më tek ato nuk kthehen.
5 Kush e lëshoi në liri gomarin e egër?
Kush ia zgjidhi litarin mushkës,
6 të cilës i caktova si shtëpi shkretëtirën
e si vendbanim dheun kripor?
7 Ai e përqesh rrëmujën e qytetit
e nuk i dëgjon klithmat e ndjekësve.
8 Endet kullotave të veta malore
e kërkon çdo bimë të blertë.
9 A pranon bizoni të të shërbejë?
A e kalon natën në stallën tënde?
10 A e vë dot në brazdë për laku?
A do të vijë pas teje duke pluguar?
11 A do t’i zësh besë atij, se është shumë i fortë,
e do t’ia ngarkosh atij punën tënde?
12 A beson se ai do të kthehet
e do ta sjellë farën në lëmë?
13 Gëzueshëm i rreh krahët struci,
por zogjtë i bën pa pendë e puplag,
14 vezët përtokë i vë
e në pluhur i ngroh,
15 ndonëse këmba mund t’i shkelë
e bisha mund t’i shtypë.
16 Ashpër sillet me zogjtë,
a thua se s’janë të vetët
e s’ka frikë se punon kot.
17 Se ia hoqi Perëndia urtinë
e s’ia dha zgjuarsinë.
18 Kur ngrihet e flatron,
kalë e kalorës përqesh.
19 A ia jep ti kalit fuqinë?
Krifën në qafë, vallë, ti ia vure?
20 A e bën ti të kërcejë si karkalec?
Hingëllima e tij madhështore tmerron.
21 Hareshëm thundron me forcë në luginë,
armëve përballë u del.
22 E përbuz frikën e nuk tutet,
nuk zbythet para shpatës.
23 Nga pas i tringëllon kukura,
heshta përshkënditëse e shtiza.
24 Me tërbim e furi dheun ha
e as zëri i borisë nuk e ndal.
25 Kur bie boria, thotë: “Hihi!”.
Nga larg nuhat luftën,
britmën e prijësve e gjëmën e betejës.
26 Mos flatron skifteri falë dijes sate
e krahët drejt jugut i hap?
27 Mos vallë nën urdhrin tënd lartohet shqiponja
e në lartësi folenë vë?
28 Mbi shkëmb ajo ngul
e mbi prita kreshtash shkëmbore bun.
29 Prej andej e vrojton prenë,
prej larg sytë e saj e shohin.
30 Zogjtë e saj pinë gjak
e ku ka të vrarë, aty ajo gjendet».