Urtia krijuese
1 Atëherë Perëndia iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha:
2 «Kush është ky që e zymton këshillën
me fjalë pa kuptim?
3 Ngjishe brezin si burrë,
se unë do të të pyes e ti do të më mësosh.
4 Ku ishe ti kur unë hodha themelet e tokës?
Fol, nëse e njihke kuptimin!
5 Kush ia caktoi përmasat, po e dite?
Kush e mati me litar?
6 Mbi çfarë u hodhën themelet e saj
ose kush ia vuri gurin e këndit,
7 kur yjet e mëngjesit tok gumëzhinin
e të gjithë bijtë e Perëndisë brohorisnin?
8 Kush ia mbylli dyert detit,
kur shpërtheu e nga barku doli,
9 kur retë ia bëra si petka
e sterrën si shpërgënj?
10 Unë ia caktova caqet
e dyerve ua vura shulin,
11 pastaj thashë: “Deri këtu do të vish e jo më tej!
Këtu do të të thyhen dallgët krenare”.
12 Vallë, gjatë jetës, a e urdhërove mëngjesin?
Po agut, a ia tregove vendin,
13 që tokën për cepash ta kapte
e t’i shkundte prej saj të paudhët?
14 Ajo shndërrohet si deltina nën vulë
e ngjyhet si petku.
15 Mëkatarëve u përvidhet drita
e u copëtohet krahu i ngritur.
16 A mbërrite dot te burimet e detit?
A shëtite vallë në fund të humnerës?
17 A t’u shfaqën ty dyert e vdekjes?
Po dyert e terratisjes i ke parë vallë?
18 A ta ka rrokur mendja hapësirën e dheut?
Trego, në i di tërë këto!
19 Nga bie rruga për ku banon drita?
Po errësira, ku e ka vendin,
20 që ta mbash brenda cakut të saj
e shtegun e shtëpisë së saj ta dallosh?
21 Patjetër ti e di, sepse kishe lindur
e i madh është numri i ditëve të tua.
22 A ke hyrë në hangarët e borës?
Po drithnikët e breshrit, i ke parë?
23 Unë i ruaj për kohë ngushtice,
për ditë beteje e luftimi.
24 Për cilën udhë shpërndahet drita
e përhapet juga mbi dhe?
25 Kush ia hapi hullinë ujit përmbytës
e shtegun vetëtimës gjëmuese,
26 për të sjellë shi në tokën pa njeri,
mbi shkretëtirën ku nuk shkel njerëzia,
27 për të ngopur thatinën e shkretinë,
që djerrina bar të qesë?
28 A ka shiu atë?
Po pikat e vesës, vallë, kush i lindi?
29 Prej barkut të kujt u lind akulli?
Po brymën prej qiellit, kush e lindi vallë?
30 Si gur ngurtësohet uji
e ngrin faqja e honit.
31 A mund t’i lidhësh ti vargjet e Shenjëzave,
apo Orionit t’ia zgjidhësh vargoin?
32 A e qet në kohë Yllin e Mëngjesit
dhe a e drejton dot Arushën me zogj?
33 Ai i njeh vallë ligjet e qiellit?
A i vendos dot në tokë rregullat e tij?
34 A mund t’i urdhërosh retë
që të të mbulojë uji përmbytës?
35 A mund t’i lëshosh vetëtimat
e a do të nisen duke thënë: “Si urdhëron”?
36 Kush ia caktoi brendisë urtinë
e kush ia dha mendjes kuptimin?
37 Kush mund t’i numërojë retë me urti
e kush i zbraz kacekët e qiellit
38 kur pluhuri ngjishet tok
e plisat ngurtësohen?
39 A e gjuan dot prenë e luanit?
Po këlyshëve të tij, a ua shuan urinë,
40 kur mblidhen kruspull në strofull
apo kur presin në shkurrnajë?
41 Kush ia gatit korbit ushqimin,
kur zogjtë e tij Perëndinë thërrasin
e përenden pa ushqim?».