Elihui qorton krenarinë e Jobit
1 «Tani, o Job, dëgjo çfarë do të them
e tërë fjalëve të mia vëru vesh!
2 Ja, unë hap gojën
e gjuha nën qiellzë flet.
3 Nga zemra e sinqertë fjalët mua më rrjedhin
e buzët e mia e dinë se flasin me pastri.
4 Shpirti i Perëndisë mua më bëri,
fryma e të gjithëpushtetshmit jetën mua ma dha.
5 Gjegjmu, po qe i zoti,
gatitu para meje e zër vend.
6 Ja, te Perëndia njësoj si ti unë jam,
nga balta edhe unë u nxora.
7 Mos ki, pra, frikë prej meje
e trysnia ime mos të të rëndojë.
8 Ti fole, po, e zërin e fjalëve të tua
me veshët e mi e dëgjova:
9 “Jam i pastër, s’kam bërë shkelje,
nuk kam faj e s’kam ligësi.
10 Ja, Perëndia gjen shkas
për të më bërë armik.
11 Këmbët në pranga m’i vë,
i mbikëqyr tërë shtigjet e mia”.
12 E unë të them: këtu nuk ke të drejtë.
Më i madh se çdo njeri është Perëndia.
13 Pse matesh me të
e thua s’të kthen çdo fjalë?
14 Një herë flet Perëndia
e të dytën herë nuk rroket.
15 Në ëndërr, natën në vegim,
kur mbi njerëzinë kllapia bie,
e ndër shtroja ata dremisin,
16 njerëzve ai veshët ua hap
e ua mbush me udhëzime,
17 për ta kthyer njerëzinë nga zararet
e për ta zhveshur nga krenia,
18 për t’ia shpëtuar shpirtin nga gropa
e jetën nga ushta vringëlluese.
19 Ai e qorton me dhimbje në shtrojë
e me dridhje kockash pa pushim,
20 aq sa në jetë edhe buka i neveritet
e në shpirt edhe gjella më e këndshme.
21 Mishi i tij fishket e s’shihet më
e i dalin kockat që nuk i shiheshin.
22 Gropës shpirti i tij iu qas
e vdekjeprurësve jeta e tij.
23 Ah, sikur të vijë pranë një engjëll,
një ndër një mijë ndërmjetësues,
për t’i treguar njerëzisë të drejtën,
24 për t’i dhënë hir e për të thënë:
“Shpëtoje, o Perëndi, nga gropa ku po bie!
E gjeta unë shpagimin”.
25 Më shumë se në rini do të zhdërvillet mishi i tij
e në ditët e djalërisë prapë do të kthehet.
26 Perëndisë do t’i lutet e ai do ta pranojë,
me galdim fytyrën do t’ia shohë
e njeriut drejtësinë prapë do t’ia kthejë.
27 Do të hasë në njerëz e do t’u thotë:
“Mëkatova, por prapësia që bëra nuk m’u kthye.
28 Ai ma shpëtoi shpirtin nga groposja
e tani, i gjallë, mund të kundroj dritën”.
29 Ja, të gjitha këto i bën Perëndia,
dy-tri herë, për njeriun,
30 për t’ia rinxjerrë nga gropa shpirtin,
jetën me dritë për t’ia shndritur.
31 Ki mendjen, Job, e më dëgjo,
ti hesht e unë do të flas.
32 Nëse ke diçka për të thënë, përgjigjmu,
fol, se të drejtë dua të të jap.
33 Nëse s’ke asgjë, ti më dëgjo,
hesht e unë do të ta mësoj urtinë».