Jobit i duket Perëndia larg
1 Jobi u përgjigj e tha:
2 «Edhe sot e kësaj dite ankoj i acaruar,
mbi rënkimin tim rëndon dora e tije.
3 Ah, sikur ta dija ku ta gjeja,
sikur të arrija te banesa e tij!
4 Para tij do ta shtroja çështjen time
e me plot të drejtë do ta hapja gojën.
5 Do të merrja vesh përgjigjen e tij
e do të kuptoja çfarë do të më thoshte.
6 A do të grindej me mua me tërë madhështinë e tij?
Jo, vërtet do të më dëgjojë!
7 Atje me të do të fliste një njeri i drejtë
e gjykatësi im përgjithmonë do të më shfajësonte.
8 Ja, shkoj më tej e ai nuk gjendet,
kthehem pas e nuk e pikas.
9 Po të sillem majtas askund nuk e shoh,
po të kthehem djathtas nuk ma kap dot syri.
10 E, pra, ai e di si sillem unë;
le të më vërë në provë e porsi ar do të dal.
11 Gjurmëve të tij shkeli këmba ime,
udhën e tij e mbajta pa dredhuar.
12 Urdhrit të buzëve të tij unë nuk iu shmanga,
fjalët e gojës së tij në zemër i mbajta.
13 Por ai është i vetëm e kush mund ta kundërshtojë?
Çfarë ai dëshiron, atë edhe e bën.
14 Çfarë caktoi për mua, ai do ta përmbushë,
e shumë gjëra të tjera që i ka në mendje.
15 Prandaj më zë tmerri në praninë e tij,
mendohem e dridhem prej tij.
16 Perëndia ma molisi zemrën
më tmerroi ai, i gjithëpushtetshmi.
17 Se nuk po më rrënon errësira,
as po më mbulon terri».