Elifazi e shpall Jobin fajtor
1 Elifazi u përgjigj e tha:
2 «A i duhet gjë njeriu Perëndisë?
A i duhet gjë atij i urti?
3 Ç’dobi i sjell të gjithëpushtetshmit nëse je i drejtë?
Ç’fiton ai me sjelljen tënde të përkryer?
4 Mos vallë të ndëshkon ngaqë i druhesh?
Prandaj hap gjyq ai me ty?
5 A nuk janë të shumta paudhësitë e tua?
A nuk janë pa fund ligësitë e tua?
6 Vëllait tënd i mbajte peng pa shkak,
edhe të zhveshurit i rrope.
7 Të molisurit ujë s’i dhe të pijë,
të uriturit bukë s’i dhe të hajë.
8 Të fortit tokën ia dhe
e në të banon kush gjen përkrahje.
9 Të vejat i dëbove duarzbrazur
e jetimëve ua theve krahët.
10 Prandaj të rrethojnë leqet
e tmerri të zë papritur,
11 ose terri që të lë pa parë
e vërshimi i ujërave të përmbyt.
12 A nuk është Perëndia lart në qiell?
Shiko sa lart janë yjet më të larta.
13 E ti thua: “Çfarë di Perëndia?
A mund të gjykojë në mes të terrinës?
14 E kanë mbështjellë retë, ndaj nuk sheh,
ai që shëtit mbi kupë të qiellit”.
15 A do të ndjekësh udhën e lashtë,
ku shkelën njerëzit e paudhë?
16 Ata u rroposën para kohe,
themelin ua rrëmbeu lumi.
17 I thanë Perëndisë: “Larg nesh!
Çfarë mund të na bëjë i gjithëpushtetshmi?”.
18 Ai ua mbushte shtëpitë me të mira,
por larg meje këshilli i të paudhëve.
19 Të drejtët shohin e gëzohen
e të pafajshmit me ta tallen:
20 “A nuk u shuan armiqtë tanë?
Pasurinë ua përpiu zjarri”.
21 Pajtohu me Perëndinë e bëj paqe,
se kështu do të të vijë e mbara.
22 Prano mësimin prej gojës së tij
e fjalët e tij në zemër mbaji.
23 Nëse kthehesh kah i gjithëpushtetshmi,
do të ndreqesh.
Nëse e heq ligësinë nga tenda,
24 nëse ari pluhur do të të duket
e zall lumenjsh ari i Ofirit,
25 i gjithëpushtetshmi do të jetë ari yt,
pirgu i argjendit tënd.
26 Atëherë me të gjithëpushtetshmin do të kënaqesh
e kah Perëndia do ta kthesh shikimin.
27 Do t’i lutesh e ai do të të dëgjojë
e do t’i përmbushësh kushtet e tua.
28 Do të vendosësh për diçka e do të kryhet
e drita do të shndrisë në udhën tënde.
29 Kur njerëzit poshtërohen ti thua është nga krenariadh,
se Perëndia të përulurin shpëton.
30 Ai do të çlirojë edhe kë s’është i pafajshëm,
falë duarve të tua të pastra do të çlirohet».