Jobi beson se do të shpëtojë
1 Jobi u përgjigj e tha:
2 «Deri kur do të ma lodhni shpirtin
e do të më shtypni me fjalime?
3 U bënë dhjetë herë që po më shani,
a s’ju vjen turp të më poshtëroni?
4 Edhe po të kem gabuar vërtet,
mua më mbetet gabimi.
5 A vërtet mendoni se do të ngriheni mbi mua
duke më përmendur mjerimin?
6 Duhet ta dini, pra, se Perëndia më bëri padrejtësi
e më rrethoi me rrjetën e vet.
7 Ja, thërras: “Dhunë!”, por nuk marr përgjigje,
kërkoj ndihmë, por nuk ka drejtësi.
8 Ma ka mbyllur rrugën, që të mos kaloj
e m’i ka zhytur shtigjet në terr.
9 Ai më zhveshi nga lavdia,
ma hoqi kurorën nga koka.
10 Më rrënoi nga çdo anë e mora fund,
e shkuli si bimën shpresën time.
11 U ndez kundër meje zemërimi i tij
e u soll me mua si ta kisha armik.
12 U mblodhën tok çetat e tij,
çanë udhën drejt meje
e ngritën fushimin rreth tendës sime.
13 Vëllezërit e mi i dëboi larg meje
e të njohurit më janë bërë si të huaj.
14 Të afërmit ma kthyen shpinën
e shokët më harruan.
15 Bujtësit e shtëpisë sime e shërbëtoret e mia
më shohin si të huaj,
i panjohur u bëra në sytë e tyre.
16 E thërras shërbëtorin e nuk më përgjigjet,
mua vetë më duhet t’i bëj lutje.
17 Fryma ime i pështiroset gruas sime,
u neveritem fëmijëve të mi.
18 Edhe çunakët më përçmojnë.
Unë ngrihem e ata më përflasin?
19 Të gjithë këshilltarët e mi më përbuzin
e ata që i doja u kthyen kundër meje.
20 Lëkura më ngjitet në kockë pa mish,
më ka shpëtuar veç mishi i dhëmbëve.
21 Mëshirë, mëshirë për mua, ju miqtë e mi,
se më goditi dora e Perëndisë.
22 Pse më përndiqni, si Perëndia?
A nuk u ngopët me mishin tim?
23 Ah, sikur të shkruheshin fjalët e mia
e të radhiteshin në një libër,
24 sikur të gdhendeshin përgjithmonë në shkëmb
me daltë hekuri e me plumb!
25 Unë e di se gjallë është shpëtimtari im,
se, në fund, nga pluhuri do të ngrihet
26 e, pasi të ma kenë rrjepur lëkurën e mishin,
unë do të shoh Perëndinë.
27 Unë vetë do ta shoh,
sytë e mi do ta kundrojnë e jo një tjetër.
Zemra po më digjet.
28 Ju që thoni: “Si ta përndjekim?”,
se në mua u gjet rrënja e të keqes,
29 trembjuni shpatës,
se furia goditet me shpatë
e do ta merrni vesh se ka një gjyq».