Elifazi qorton Jobin
1 Elifaz Temaniti u përgjigj e tha:
2 «A përgjigjet i urti me fjalë që i merr era?
A e mbush barkun me erën e lindjes?
3 A mbrohet me fjalë të kota
e me shprehje pa dobi?
4 Por ti po e çart drojen,
po shpërfill lutjen para Perëndisë,
5 se faji yt e mëson gojën tënde
e ti zgjedh gjuhën e dinakëve.
6 Goja jote të dënon e jo unë,
buzët e tua dëshmojnë kundër teje.
7 A je ti njeriu i parë që u lind?
A para kodrave u përftove?
8 Mos ke përgjuar shestimet e Perëndisë
dhe e mban urtinë për vete?
9 Çfarë di ti, që ne s’e dimë?
Çfarë kupton ti, që ne s’e marrim vesh?
10 Ka ndër ne të thinjur e pleq,
më të moçëm se yt atë.
11 A pak janë për ty ngushëllimet e Perëndisë
e fjala e butë që të drejtohet?
12 Pse të gulçon zemra
e të flakërojnë sytë,
13 kur kthehesh kundër Perëndisë
e fjalët nga goja të rrjedhin?
14 Çfarë është njeriu që të jetë i pastër?
A është i drejtë kush lindi prej gruaje?
15 Perëndia s’beson as te shenjtorët e vet
e para tij as qielli s’është i pastër,
16 pale njeriu i pështirë e i çartur,
që e pi ligësinë si ujë.
17 Ta shpjegoj unë, më dëgjo!
Do të të tregoj ç’kam parë,
18 çfarë rrëfyen të urtët,
që të parët e tyre nuk ua fshehën.
19 Vetëm atyre u qe dhënë toka
e asnjë i huaj nuk kaloi mes tyre.
20 Keqbërësin e kaplon ankthi përditë
e mujshari i ka vitet të numëruara.
21 Klithma e tmerrit i gjëmon në veshë
e kur është i qetë e sulmon kusari.
22 Ai nuk shpreson se mund të dalë nga terri
dhe e di se shpata e pret.
23 Bredh e kërkon bukë: “Ku ka?”,
por e di se i erdhi dita e zezë.
24 Ankthi e mundimi e tmerrojnë
dhe e mposhtin, si mbreti i gatshëm për sulm.
25 Ngre dorë kundër Perëndisë,
krekoset kundër të gjithëpushtetshmit,
26 sulet kundër tij kryeneç,
i mbrojtur me shqyt të trashë,
27 me fytyrë të majme
e me dhjamë në ijë.
28 Banonte në qytetin plojë,
në shtëpi të shkretuara, kthyer në rrënoja.
29 Nuk do të pasurohet e nuk do t’i zgjasë fati,
as do të zërë rrënjë në dhec.
30 Nuk do t’i shpëtojë errësirës,
sythat zjarri do t’ia thajë
e lulet era do t’ia marrë.
31 Të mos i zërë besë kotësisë e të mos gënjehet,
se me kotësi do të shpërblehet.
32 Pa i ardhur dita do të vyshket
e nuk do të harliset dega e tij.
33 Do të shkundet si hardhia para se të piqet rrushi,
e si ulliri në lule do të harret.
34 Shoqëria e të pafeve është shterpë
dhe shtëpinë e mitëmarrësit zjarri e përlan.
35 Kush ngjiz trazirë, pjell ligësi
e në barkun e tyre gatitet mashtrimi».