Jobi 9

Përgjigjja e Jobit

Jobi u përgjigj e tha:

«Vërtet e di se ashtu është,

por si mund të jetë i drejtë njeriu para Perëndisë?

Nëse dikush rragatet me të,

s’mund t’i përgjigjet as një herë në një mijë.

Ai është zemërurtë e fuqimadh.

Kush i bëri ballë e doli i pamposhtur?

Ai i shpërngul malet, por ato s’e dinë,

kur i shkundullon i zemëruar.

Ai e trand tokën nga vendi

e dridhen shtyllat e saj.

E urdhëron diellin e ai nuk lind,

edhe yjeve drynin ua vë.

I vetëm i shpalos qiejt

e mbi dallgët e detit hapat i hedh.

Ai krijoi Arushën e Orionin,

Shenjëzat e Dhomat e Jugut.

10 Bëri vepra madhështore e të paqëmtueshme,

bëri mrekulli të panumërueshme.

11 Kalon para meje e nuk e shoh,

ikën tutje e nuk e vërej.

12 Rrëmben diçka e kush mund ta kthejë?

Kush mund t’i thotë: “Çfarë po bën?”.

13 Perëndia nuk e tërheq zemërimin,

poshtë tij tulaten ndihmësit e Rahabit.

14 Si vallë mund t’i përgjigjem

e me ç’fjalë t’i flas atij?

15 Edhe po të jem i drejtë s’i përgjigjem dot,

gjykatësit tim për përdëllim i lutem.

16 Nëse e thërras e më përgjigjet,

nuk besoj se do t’i vërë vesh zërit tim.

17 Ai më shtyp për një fije flokub

m’i shumon plagët pa shkak.

18 Nuk më lë të marr frymë,

se më ngop me hidhërim.

19 Sa për forcë, ai është i fuqishmi,

sa për drejtësi, kush mund ta padisë?

20 Edhe pse kam të drejtë,

goja ime do të më dënojë;

nëse jam i përkryer,

ai do të më nxjerrë fajtor.

21 Jam i përkryer, por nuk kujdesem për vete,

e përçmoj jetën time.

22 Prandaj them se është njësoj:

ai rrënon të përkryerin e të paudhin.

23 Nëse fshikullimi vret papritmas,

ai e qesëndis dëshpërimin e të pafajshmit.

24 Toka i është lënë në dorë të paudhit,

ai ua mbyll sytë gjykatësve të saj

e nëse jo ai, kush vallë?

25 Ditët e mia shkojnë më shpejt se rendësi,

ikin tutje pa e parë të mirën.

26 Rrëshqasin si varka xunkthi,

si shkaba që vërsulet mbi pre.

27 Nëse them: “Do ta harroj rënkimin,

nuk do të jem fytyrëngrysur e do të gëzohem”,

28 më trembin tërë vuajtjet e mia.

E di se nuk do të më shfajësosh.

29 Nëse jam fajtor,

pse të mundohem kot?

30 Nëse lahem me ujë bore

e duart i pastroj me finjë,

31 ti prapë do të më zhytësh në llucë

e do t’u kall krupën edhe petkave.

32 Se ai nuk është njeri si unë, që t’i përgjigjem:

“Të dalim në gjyq”.

33 Nuk ka gjyqtar mes ne të dyve

që të vërë dorë mbi ne,

34 ta heqë prej meje shkopin e tij

e të mos më trembë tmerri i tij.

35 Do të flas e nuk do t’i trembem,

se i tillë unë nuk jam».


 b9.17 ose: më shtyp me stuhi