Ushtar i mirë
1 Ti, biri im, forcohu nga hiri që vjen përmes Krishtit Jezu. 2 Ato që dëgjove prej meje para shumë dëshmitarëve besojua njerëzve besnikë, të cilët do të jenë të zotët të mësojnë edhe të tjerët.
3 Bashkohu në vuajtje si ushtar i mirë i Krishtit Jezu. 4 Asnjë ushtar që është nën armë, nuk ngatërrohet me punët e jetës së përditshme, sepse do që t’i pëlqejë eprorit që e thirri ushtar. 5 Po ashtu, kush futet në garë, nuk kurorëzohet po të mos ketë luajtur sipas rregullave. 6 Bujku që mundohet duhet të marrë i pari pjesën e fryteve. 7 Mendo për këto që po të them, sepse Zoti do të të ndihmojë të kuptosh gjithçka.
8 Kujto Jezu Krishtin, të ngjallur prej të vdekurve, pasardhës i Davidit, sipas ungjillit tim, 9 për të cilin unë po vuaj deri në pranga si keqbërës. Por fjala e Perëndisë nuk lidhet me pranga. 10 Prandaj unë i duroj të gjitha për hir të të zgjedhurve, që edhe ata të marrin shpëtimin përmes Krishtit Jezu bashkë me lavdinë e amshuar. 11 Kjo fjalë është e besueshme:
Nëse kemi vdekur me Krishtin,
edhe do të jetojmë me të;
12 nëse durojmë,
edhe do të mbretërojmë me të;
nëse do ta mohojmë,
edhe ai do të na mohojë;
13 nëse jemi mosbesues,
ai mbetet besnik,
pasi ai nuk mund të mohojë veten.
Punëtor i miratuar
14 Këto gjëra t’ua kujtosh të gjithëve, duke iu përbetuar para Perëndisë të mos grinden me fjalë që nuk sjellin asnjë dobi, por çojnë në shkatërrim ata që i dëgjojnë. 15 Mundohu të dalësh i sprovuar para Perëndisë, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që e shpjegon drejt fjalën e së vërtetës.
16 Shmangu nga fjalët e zbrazëta që janë kundër besimit, sepse ato do të shtojnë mosbesimin e njerëzve 17 dhe fjalët e tyre do të përhapen si gangrenë. Ndër ta janë Himeneu e Fileti, 18 që dolën nga udha e së vërtetës, duke thënë se ngjallja tashmë ka ndodhur dhe kështu po përmbysin besimin e disave.
19 Megjithatë, themelet e forta që vuri Perëndia qëndrojnë të patundura dhe mbajnë këtë vulë: Zoti i njeh të vetët dhe: «Le të largohet nga paudhësia kushdo që thërret emrin e Zotit».
20 Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari e argjendi, por edhe prej druri e balte; disa për nderim, të tjerat për përçmim. 21 Prandaj, kush e pastron veten nga këto gjëra, do të jetë enë për nderim, e shenjtëruar, e dobishme për të zotin dhe e përgatitur për çdo vepër të mirë.
22 Braktisi epshet rinore dhe rend pas drejtësisë, besimit, dashurisë e paqes, bashkë me ata që i thërrasin Zotit me zemër të pastër. 23 Shmang edhe bisedat e marra e pa kuptim, duke e ditur se sjellin grindje. 24 Shërbëtori i Zotit nuk duhet të grindet, por duhet të jetë i butë me të gjithë, mësues i zoti, që duron të keqen, 25 që i udhëzon me butësi kundërshtarët, me shpresën se Perëndia do t’i bëjë të pendohen për të njohur të vërtetën. 26 Kështu ata mund të vijnë në vete e të dalin nga kurthi i djallit, i cili i mban robër të vullnetit të tij.